Disa socialistë të vjetër i janë bashkuar dje Agron Dukës në Partinë Agrare Ambientaliste. Bëhet fjalë për ish-deputetët Marko Bello, Gazmir Bizhga apo edhe ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, të cilët iu bashkuan kësaj partie.
Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, një prej ish-deputetëve dhe ish-ministri socialist, Marko Bello pohoi se ishte ftuar në këtë parti për të dhënë kontributin e tij. “Po, është e vërtetë që i jemi bashkuar. Na është kërkuar që të japim kontributin tonë në organizimin e Partisë Agrare, e cila do të ketë një dimension të ri”, u shpreh Bello. Ish-deputeti socialist ka mbajtur poste të rëndësishme në kryesinë e PS-së, por edhe në qeveritë e saj.
Gazmir Bizhga gjithashtu ka qenë një nga funksionarët e PS-së ndër vite, ndërkohë që PS-ja drejtohej nga Fatos Nano. Edhe largimi i tij erdhi në të njëjtën kohë kur shumë nanoistë u mënjanuan me ardhjen e të rinjve “proRama” në PS. Sa i përket ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, për të cilin u hap edhe një çështje penale, rrjedha e ngjarjeve ka qenë po njësoj. Prej vitesh atij i ishte besuar drejtimi i Bashkisë së Vlorës si përfaqësues i PS-së. Më pas ishte vetë Rama që e afroi edhe në kryesinë e partisë. Por më pas mes tyre pati mosmarrëveshje, të cilat krijuan ndarjen përfundimtare në fund, kur punët shkuan në dyert e drejtësisë.
Të tre këta ish-socialistë të vjetër janë kërkuar nga Agron Duka për të kontribuar në një organizim të ri të agrarëve, e cila tashmë kërkon të forcohet si parti.
Aktualisht Partia Agrare është në opozitë me Partinë Demokratike. Vetëm pak muaj më parë, themeluesi i PAA-së, Lefter Xhuveli u tërhoq nga politika, duke e lënë partinë e krijuar dhe drejtuar prej tij prej gati 25 vitesh në duart e Agron Dukës, që më parë ka mbajtur detyrën e ministrit të Bujqësisë.





