Tre raste vdekjesh janë regjistruar pranë Sanatoriumit të Tiranës, të prekur nga gripi. Përfaqësuesja e Shëndetit Publik, Silva Bino në një deklaratë për mediat konfirmoi sot se pas analizave se, dy prej tyre kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit.

Mjekja u shpreh se nuk ka vend për panik, pasi gripi sezonal është i ngjashëm me vendet e rajonit dhe të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen.

“Gripi në Shqipëri ka intensitet mesatar, por është në rritje. Në dy javët e fundit kemi një rritje të rasteve të gripit. Kjo vihet re në infeksionet respiratore akute. Situata në Shqipëri është e ngjashme me vendet në rajon. Deri tani janë dy raste të konfirmuar me grip, por edhe një rast tjetër po verifikohet që ka ndërruar jetë në “Shefqet Ndroqi”.

Një rast i Tiranës dhe dy raste janë të referuar nga Elbasani. Kemi një qarkullim të gripit. Kemi një rritje të gripit AH1N1. Nuk kemi grip derri. Është virus i përfshirë në vaksinën e gripit. Është një vaksinë që në bazë të studimeve që kanë ardhur nga vendet e tjera tregojnë efektshmëri të vaksinës.

Njerëzit të vaksinohen. 50 mijë doza janë prokuruar dhe 50 mijë doza kanë ardhur si ndihmë nga një agjenci amerikane. Fruthi dhe gripi janë dy sëmundje që transmetohen nga rrugët respiratore. Personat që kanë vdekur janë të pa vaksinuar. Kemi patur raste edhe tek fëmijët, por pa pasoja”, tha ajo.