Përtej kufijve të mjerimit, gjenden tre vëllezërit Zeqiraj, banorë të lagjes numër 18 në qytetin e Durrësit. Të tre vëllezërit janë ngujuar në banesë, në një apartament, që vetëm të tillë ka emrin. Vëllezërit Zeqiraj, në moshë madhore, vuajnë nga probleme shëndetësore e mendore të rënda, dhe në kushte ekstremisht të vështira ekonomike dhe sociale. Në këtë prag ndërrimi vitesh, ata rrezikojnë të ngrijnë së ftohti, ndërsa banorë të lagjes në shenjë humanizmi iu japin herë pas here ndonjë ushqim, nga zgavra e hekurt e portës. Gëzim Lekli, një banor i lagjes i ardhur nga emigracioni, ka lajmëruar policinë dhe spitalin ditën e sotme, pasi dyshohej që dy prej vëllezërve kishin ndërruar jetë, sepse nuk përgjigjeshin. Njëri prej vëllezërve është me gangrenë në këmbë e nuk mund të lëvizë dot.
Fqinja në katin e parë përballë derës së tre vëllezërve shprehet mjaft e alarmuar. “Këta të tre kanë mbetur në mëshirë të fatit, banesa e tyre është zhytur e gjitha në infeksion të madh. Nuk kanë ujë, nuk kanë drita, të tre ata dhe banesa e tyre është prej e grabitësve dhe njerëzve të këqinj. Të merren masa, sepse ata jetojnë në një vatër infeksioni. Duhet të kurohen, të çohen në ndonjë spital, në azil, atje ku mund të ketë një ndihmë nga shteti.
Filia, 85-vjeçare është një banore e lagjes. Ajo thotë se tre vëllezërit kishin pasur një ndihmë ekonomike, por edhe atë ndihmë ua prenë. Tani ata gjenden pa bukë, ndërsa të gjithë festojnë. “Nuk e hapin derën, janë në gjendje të rëndë shëndetësore mendore e fizike!”, apelon e moshuara. Këtë problem e njohin të gjithë në këtë lagje, ndërsa apeli iu drejtohet strukturave të shtetit, shërbimit social, i cili ka dështuar në të gjitha drejtimet, për njerëzit në nevojë.
K.H.





