Një batutë e bërë tre vite më parë nga Albano Bogdo në “Albano Show” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes, pasi aktori vendosi të flasë hapur dhe të kërkojë ndjesë publike.

Asokohe, teksa ironizonte largimin nga muzika të Alban Ramosajt dhe Feros, ai e prezantoi Albanin me një shprehje që lidhej me motrën e tij, Beatrix Ramosajn dhe me Donald Veshaj brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania.

Deklarata u konsiderua e tepruar nga shumë përdorues në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagime të forta ndaj aktorit.

I ftuar së fundmi në “UëTëFë Show”, Bogdo u përball me pyetjen nëse do t’i kërkonte falje Beatrix-it apo nëse priste një ndjesë prej saj. Ai shprehu fillimisht gëzimin që nëna e këngëtares ka fituar betejën me kancerin, duke thënë se ishte prekur kur pa lajmin në rrjetet sociale.

“Beatrix-i është një vajzë shumë e mirë, e shkëlqyer. Ka qenë disa herë në emisionet që kam punuar unë, ka qenë 2-3 herë tek ‘Apartamenti’, ka qenë një herë te ‘Klanifornia’ më duket. U gëzova shumë që pashë në Instagram, kishte pasur të ëmën sëmurë, m’u bë zemra mal kur kishte lëvizur atë zilen,” tha Bogdo.

Më pas, ai sqaroi se batuta nuk kishte pasur si shënjestër Beatrix-in, por ishte një ironi për fenomenin e disa artistëve të rinj që, pas pak vitesh karrierë, paralajmërojnë largimin nga muzika. Sipas tij, komenti ishte më tepër një thumbim ndaj vëllait të saj dhe jo një sulm personal ndaj këngëtares.

“Ajo shakaja nuk ishte fare për Beatrix-in, e kanë humbur thelbin njerëzit, ishte një shaka për këngëtarët e rinj që kanë 2-3 vjet në karrierë thonë ‘po iki unë nga muzika tani’. Ishte një shaka për vëllanë e saj,” u shpreh ai.