SHBA– Tre yje të kinemasë hollivudiane janë protagonistë në filmin “Stand up guys”. Al Pacino, Christopher Walken dhe Alan Arkin shfaqen përkrah njëri tjetrit në filmin që tregon një histori përndjekjeje të përshkruara me nota të një humori të rëndë, mes dy ish shokëve të burgut, njëri prej të cilëve dëshiron të vrasë tjetrin. Filmi do të nisë transmetimin në kinematë amerikane nga data 1 shkurt.

Al Pacino 72 vjeçar dhe Christopher Walken 69, janë aktorët kryesorë të filmit “Stand up guys”. Ndonëse aktorët njihen prej vitesh, ky është filmi i parë, në të cilin ata interpretojnë së bashku.

Në këtë film ata interpretojnë dy ish shokë burgu. Personazhi i Doc-ut interpretuar nga Christopher Walken, duhet të vrasë personazhin e quajtur Val, i cili interpretohet nga Al Pacino, ndonëse ata kanë qenë shokë në qeli. Ai pret sa Vali të përfundojë 28 vitet e burgut dhe ditën e parë që ai del vihet në ndjekje të tij.

Në subjekt hyn dhe një mik i vjetër interpretuar nga Alan Arkin, i cili nga një azil pleqsh ku jeton përfshihet në një natë të ngarkuar me ndjekje e peripeci të ndryshme.