Një grup shitësish ambulantë të plazhit të Durrësit kanë protestuar këtë të hënë para bashkisë së qytetit.

Janë rreth 70 tregtarë të cilët kanë kërkuar që të takohen me autoritetet lokale, në mënyrë që të vijojnë të lejohen të tregtojnë produktet e tyre përgjatë vijës bregdetare.

Ata shprehen se vetëm gjatë periudhës së verës kanë punë, ndaj ngulmojnë që t’iu jepet e drejta për të punuar dhe për këtë të taksohen.

“Ne duam të punojmë se jemi pa punë, por nuk na lejojnë të punojmë. Policia bashkiake thotë nuk ka urdhër, i ka ndaluar bashkia. Problemi është se ne si gjithë njerzit e tjerë duam të punojmë, punë tjetër nuk kemi. Të na japin një leje, jemi dakort të paguajmë taksë, nuk jemi kontrabandë, ama ne duhet të punojmë.”

“Tani që ka ardhur sezoni ne presim të punojmë, të ushqejmë kalamajtë, si do i ushqejmë ndryshe ne, nëse ata thonë se ne jemi jashtë rregullave të na pajisin.”

“Unë i bëj thirrje bashkisë, qeverisë, për fushatë vijnë çdo ditë duke na kërkuar votat. Tani ne jemi sot pa punë, tërmeti më ka dëmtuar shtëpinë, jam me shtëpi me qira, shes kokoshka në pazar në plazh, kërkoj të na japin leje të punojmë kundrejt pagesës. Nuk kemi dalur për qejf në rreze të diellit. 60 ditë punë kemi, nuk janë më tepër.”

“Vetëm hotelet do të hanë, kalamajtë tonë kur do të hanë? Kam 500 probleme. Ku do shkojmë, të gjithë kemi zënë nga një cep, ne paguajmë por mos të vijnë të na bëjnë terror se jam me fëmijë, kam punuar 20 vjet në privat asnjë siguracion nuk kam, ku të shkoj.”

“Unë dal më shumë për ilaçe, burrin e kam të sëmurë, e kam me insulina, njeri nuk të pyet pse shkon në spital, unë do punoj se ai do ilaçe, duam edhe të ushqehemi, cfarë të bëjmë tjetër.”

“Në radhë të parë na goditi tërmeti, në radhë të dytë na gotidi pandemia, tani në radhë të tretë po na godet vetë qeveria që ne i dhamë votën, nuk e di si është kjo punë. 500 e ca vet jemi pa punë.”

“Ne nuk na lejnë, unë vij nga Lushnja, jetoj me qira, vij nga ana anës ktu. Tani me një arkë banane më vijnë Policia e Shtetit me 10 policë si kriminel. Unë nuk merrem me kriminela, për çfarë ta bëj burgun unë me një arkë banane? Me një litar në qafë, çfarë takse do ai nga unë, çfarë takse të paguaj unë, ai thotë paguani, edhe 2 mijë lekë në ditë i jap unë, të hyjë unë në burg tani për një arkë banane.”, shprehen tregtarët protestues.