Tregtarët ambulantë kanë protestuar sërish këtë të hënë para Bashkisë së Durrësit për lejimin e ushtrimit të aktivitetit të tyre në zonën e bregdetit.

Ata shprehen se po firmosin një peticion që kërkojnë t’iu mundësohet një takim me kryebashkiaken Emiriana Sako pasi sipas tyre, mund të jetë e keqinformuar për situatën në bregdet pasi nuk janë ata që kanë zënë hapësirat publike.

Tregtarët shprehen se vetëm gjatë periudhës së verës kanë punë, ndaj ngulmojnë që t’iu jepet e drejta për të punuar dhe për këtë ata përsërisin se janë dakort të taksohen.

“Ne jemi shitës ambulant. Ne kërkojmë të drejtën tonë se kemi punuar shumë vite në bregun e detin. Tani këta na kanë bllokuar. Policia Bashkiake thotë kemi urdhër bashkiak. Ne kemi ardhur për t’u ankuar për copën e bukës. Kam ardhur për të kërkuar një të drejtë punësimi, kundrejtë edhe një pagese për bashkinë. Shitësit ambulantë të lejohen me ligj për të punuar. Prej 50 viteve i kam rritur dhe shkolluar kalamajtë me këtë punë. Ka pas vite që na kanë lajmruar për t’u larguar por na kanë lejuar por këtë vit është ultimatum.

“Ne punojmë për thesin e miellit. Ne në borxh jemi, nuk kemi hall për dyqan por të na lejojnë të punojmë dy muaj në verë.”

“I kërkojmë kryetares së Bashkisë Durrës, të na mundësojë të ushtrojmë profesionin tonë si tregtarë sezonalë që e bëjmë që 20 vite në lagjen nr.13 plazh. Nuk kam penguar as rrugët as hapësirën publike, ne që kemi qenë në rregull me shtetin deri vjet. Pse mos të punojmë, kemi gjëra artistike që i mbajmë në dyqan prej 11 muajsh edhe për një muaj që është sezoni i plazhit na vijnë policët bashkiakë dhe na përzejnë sikur jemi kriminelë, ne po firmosim një peticion drejtuar kryetares sepse nuk po na pret, kërkojmë një takim nga afër sepse edhe kryetarja ndoshta është e keqinformuar, nuk jemi ne ata që kemi pushtuar detin, të vijnë ta verifikojnë Bashkia e Durrësit, nuk ka nevojë të dërgojë policë bashkiakë.”

“Problemi jonë është që nuk na lejojnë me shit në plazh, kemi që në 2006-n që punojmë dhe askush nuk na jep leje. Policia na ndjek këmba-këmbës sikur jemi kriminelë. Kur do na japin leje këto kur të iki plazhi? Unë dal atje me një arkë banane në qaf, vjen më kap policia, unë as trotuar nuk pengoj as lokal nuk pengoj, për cfarë nuk më lejnë mua, unë nuk po bllokoj rrugë.”, shprehen tregtarët protestuesit.