Zaptimi i hapësirave përreth tregut nga tregtarë ambulantë tërësisht ilegalë, ka detyruar 500 tregtarë të ndershëm të tregut të fruta-perimeve në Durrës të hidhen në një protestë duke bllokuar edhe punën paraditen e sotme.

Në këtë fillimjavë, tregtarët e licencuar të tregut të vetëm në Durrës ngritën një sërë shqetësimesh karshi bashkisë së qytetit, së cilës i paguajnë taksat dhe detyrimet rregullisht.

Tregtarët ambulantë të palicencuar shesin jashtë tregut me çmime më të ulëta duke prishur konkurrencën e lirë. Tregtarët e ndershëm kanë bërë me dije se nuk do të paguajnë asnjë taksë për muajin shkurt ndaj bashkisë së Durrësit, e cila nuk po merr asnjë masë konkrete ndaj probelemeve të tyre.

Tregtarët shprehen se struktura e policisë bashkiake që ka për detyrë të menaxhojë mbarëvajtjen e tregut, po lejon tregtarët e palicencuar që të shesin në rrugë e trotuare, duke sfiduar më mënyrë të hapur tregtarët brenda tregut. Ata theksojnë se një pjesë e tregtarëve që shesin në rrugë kanë qenë brenda tregut, ndërsa brenda tregut ka shumë vende bosh, por që nuk shfrytëzohen. Kjo situatë ka sjellë probleme edhe në vendet hyrëse të tregut, si dhe për furnizimin që tregtarët bëjnë gjatë orëve të mëngjesit. Ata kanë kërkuar takim me kryebashkiakun Dako, të cilin e fajësojnë drejtpërdrejt për situatën e krijuar, por nuk kanë mundur të marrin një përgjigje, pasi disa prej tyre u shoqëruan për në polici.

Disa ditë më parë, policia bashkiake i liroi trotuaret nga shitësit ambulantë, por ata u rikthyen përsëri duke sjellë të njëjtat probleme. Në tregun e fruta-perimeve ushtrojnë aktivitetin rreth 500 tregtarë të cilët paguajnë 4 mijë lekë në muaj për hapësirën që kanë në dispozicion për këtë aktivitet si dhe një faturë vjetore prej 6 mijë lekësh për energjinë elektrike.

K.H.