Tregtarët e Durrësit thonë se dy janë arsyet pse çmimi i patates është trefishuar gjatë javës së fundit për konsumatorin. Prodhimi është me pakicë për shkak të përmbytjeve që pasuan Myzeqenë disa javë më parë, ndërsa edhe ai produkt që gjendet, po eksportohet në vendet e lindjes nga Mali i Zi, Kosovë, Ukrainë e deri në Rusi.
Bëhet fjalë për pataten e stinës, bostanin dhe pjeprin, e perime të tjera të cilat në treg janë me çmime shumë më të larta se normalja.
Të gjithë durrsakët që i janë drejtuar markatës së fruta-perimeve këto ditë, janë ndeshur me këtë fenomen të rrallë. Në treg mungon patatja e vendit, madje edhe ai produkt që gjendet është me çmimin tavan 120 lekë/kg.
Tregtarët thonë se pritet të dalë në treg prodhimi i Shkodrës e Kukësit për të furnizuar tregun, pasi në Myzeqe prodhimi ka qenë shumë i ulët.
Kampionati Botëror i Futbollit që po mbahet në Rusi ka rritur në masë edhe kërkesën për produkte ushqimore. Tifozët nga mbarë bota që kanë shkuar aty, kanë edhe kërkesat e tyre në këtë drejtim. Padyshim që kjo i ka bërë mirë Shqipërisë që edhe pse nuk merr pjesë në Botërorin e Rusisë me futbollistë, merr me produktet e saj.
K.H.





