Disa fermerë kanë bllokuar këtë mëngjes unazën e qytetit pranë tregut agro-ushqimor në Korçë. Ata thonë se protestojnë pasi policia bashkiake nuk i ka lejuar të tregtojnë mallrat e tyre, ndërsa pretendojnë se kanë tregtuar prej 20 vitesh mallrat në këtë treg, por ditën e sotme janë bllokuar nga bashkia pa asnjë sqarim.

Në shenjë rebelimi ndaj qeverisë, ata kanë hedhur perime në rrugë, ndërsa brohorasin ‘Hapni tregun’ dhe ‘Rama ik!’.

“Kemi 20 vite që punojmë. Sot na është bllokuar hyrja nga bashkia, duam të drejtën tonë. Duam të shesim, nuk kemi të ardhura të tjera. Bashkia nuk na sqaron, na ka mbyllur derën në kulmin e prodhimit”, pohoi një prej protestuesve.

Si pasojë e bllokimit të rrugës, është krijuar radhë e madhe automjetesh, duke paralizuar kështu qarkullimin e tyre.