*Shqetësimi: Rrugët janë zënë nga tregtarët e palicencuar
Tregtarët e tregut të fruta -perimeve njëzëri janë ngritur sot ndaj konkurrencës së paligjshme që vjen si rezultat i bllokimit të rrugëve nga tregtarët e palicencuar. Pavarësisht se një tabelë në rrugën kryesore të markatës tregon se nuk lejohet parkimi i makinave në rrugë, realisht rrugët janë zënë nga tregtarët që shesin, duke i bërë karrshëllik, tregtarëve të licencuar.
Por jo vetëm kaq, por tregtarët e vegjël kërkojnë që të mos punohet me dy standarde nga ana e policisë së qarkullimit rrugor. Sipas tyre policia e qarkullimit ka vendosur gjoba për të gjithë qytetarët që i drejtohen tregut, nëse parkojnë në rrugë, por ata që tregtojnë e kanë zaptuar gjysmën e rrugës janë të pashqetësuar.
“Tregtarët e paligjshëm na kanë zënë hyrjen e tregut. Ata që janë të palicencuar punojnë të pashqetësuar. Ata që paguajnë taksat, rrinë brenda në treg. Është problem që do zgjidhje”, thotë një tregtar.
“Vijnë pushues e turistë ndalojnë në treg, gjobiten nga policia e qarkullimit rrugor. As qytetarët e as pushuesit nuk e dinë që në treg është ndaluar parkimi i mjeteve. Por rrugët janë zënë nga tregtarët e paligjshëm”, thotë një tjetër.
K.H.





