Tiranë, 16 korrik 2014 – Tregtarët e Uzinës Dinamo kanë protestuar sot kundër vendimit të prefekturës për mbylljen e tregut. Ata bllokuan mëngjesin e sotëm rrugën në të dyja krahët e Unazës, duke e konsideruar të padrejtë vendimin e prefekturës për mbylljen e tij.
Që në orët e para të mëngjesit, tregtarët bllokuan hyrjen kryesore të tregut, duke vendosur aty kazanë plehrash, ndërkohë që u mbajt e bllokuar edhe rruga që të çon tek tregu, për rreth 45 minuta. Policia ka ndërhyrë dhe ka negociuar që të zhbllokohet rruga.
Që në nisje të protestës ka pasur përplasje mes tregtarëve të irrituar dhe policisë. Nën thirrjet “duam bukë” tregtarët kërkuan të takohen me Prefektin, kryetarin e Bashkisë madje edhe me kryeministrin Rama, me pretendimin se i kanë dhënë votën.
Tregtarët u shprehën se do të bllokojnë sërish rrugën edhe nesër, nëse Task Forca iu mbyll vendet e punës. Madje shprehen se do të shkojnë edhe para Prefekturës, për të protestuar.
Prefektura dhe Bashkia e Tiranës vendosi dje të mbyllë tregun tek ish-uzina Dinamo dhe atë tek rruga “Hamdi Pepa” për shkak se nuk plotësonin kushtet e tregtimit dhe ato higjieno-sanitare.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





