"3 persona të maskuar mu afruan dhe nisën të më godisnin në kokë. Bërtisnin ‘lekët, lekët, lekët". Kështu deklaron Eduard Alushi, tregtari që ra sot pre e grabitjes më armë në zonën e "Tregut Ushqimor" në Tiranë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm pranë Qytetit të Nxënësve. Teksa rrëfen minutat e tmerrit kur u përball me tre persona të maskuar, pronari i dyqanit pohon se ai ishte i pari që kishte hapur biznesin në treg.

"Kisha 5 minuta që kisha hapur dyqanin. Kur më thanë "lekët", u thashë se "nuk kam". Më morën 200 mijë lekë që kisha në sirtar për të kthyer kusur dhe 2 kuti me steka cigaresh, gjithsej 80. Më pas u larguan sërish në këmbë në brendësi të tregut. Pasi ikën ata kam shtypur alarmin dhe policia erdhi për 5 minuta", tha Alushi në një prononcim për BalkanWeb.