Tregtia me pakicë e hidrokarbureve, artikujt joushqimorë, ushqimet, pijet dhe duhani kanë kontribuuar në normën reale të rritjes për 2024. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i llogaritur bazuar në deflatimin e indeksit të shitjeve në vlerë, arriti 129,5, duke shënuar një rritje 7,8 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2023.

Ky tregues i përshtatur sezonalisht ështe rritur 1,5 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.Ndryshimi vjetor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë pa përfshirë hidrokarburet, në tremujorin e katërt 2024 është rritur me 5,3 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2023.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,6 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 5,9 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 13,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.

Në ndryshimin vjetor prej +7,8 %, në tremujorin e katërt 2024 ndaj tremujorit të katërt 2023, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë: “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +2,6 pikë përqindje. Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me +1,9 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me +3,3 pikë përqindje.

Sa i përket ndryshimit tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i përshtatur sezonalisht, në tremujorin e katërt 2024, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 1,4 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, ka pësuar rritje me 1,3 % krahasuar me tremujorin paraardhës. Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 1,9 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht është rritur me 3,8 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm. /ekofin.al