Policia ka arrestuar 3 persona pasi tregtonin dekodera për transmetime ‘pirate’.

Sipas uniformave blu, është shpallur në kërkim një shtetas dhe 7 të tjerë janë nën hetim.

Policia njofton se të arrestuarit tregtonin dekodera që transmetonin kanale për të cilët kërkohet pagesë.

Mësohet se gjatë kontrollove janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 200 aparatura dekoder.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin per Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore finalizuan operacionin policor të koduar “Transmodulari”.

Si rezultat i tij u bë ndalimi i shtetasve:

– F. L., 55 vjeç, A. M., 50 vjeç, dhe E. B., 70 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit E. S., 21 vjeçe, E. Hj., 35 vjeç, A. Gj., 43 vjeçe, D. M., 23 vjeçe, G. D., 33 vjeç, G. P., 26 vjeçe, E. T., 21 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë, dhe u shpall në kërkim shtetasi J. V., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, tregtonin në subjektet e tyre tregtare, aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, dhe për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare. 

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, u gjetën 200 aparate dekoderash, të modeleve të ndryshme tokësore dhe satelitore, dhe transmodulari që bënte kontrollin e të gjitha IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave, me listën e kanaleve specifike, si dhe gjithashtu bënte gjurmimin në kohë reale të kanaleve, nëpër subjektet e shpërndara”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.