Tregu i makinave të përdorura në Shënavlash të Durrësit rrezikon të shkojë drejt falimentimit. Shitjet kanë rënë ndjeshëm, aq sa këto kohë tregtarët nuk po arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore.

“Gjendja është shumë e vështirë përsa i përket këtij aktiviteti. Bilanci nga janari e këtij është shumë, shumë i vështirë. Nuk e di sesi do t’ia dalim për tatimet dhe detyrimet e tjera që duhen paguar. Edhe shpenzimet e muajit për të mbajtur familjen, nuk po i nxjerrim. Jemi drejt falimentimit”,- thotë për “DurrësLajm” njëri nga tregtarët.

Penalizimi kryesor për këtë tregtarë, shumica e të cilëve e ushtrojnë këtë aktivitet prej gati 3 dekadash, është konkurenca e pandershme. Makinat me tabelën “Shitet” që i gjen në shumicën dërrmuese të rrugëve të Durrësit i konkurojnë fuqishëm.

“Çdokush që bën tregti të pandershme, gjithnjë fitimin e ka më të madh. Nuk duhet të lejohet zhdoganimi i automjeteve pa licencë. Fuqia blerëse është gjithnjë në rënie, nuk është në rritje, për arsye se këtu pensionistët kanë mbetur. Nuk ka më rini!”– thotë një nga tregtarët.

“Edhe këpucari, edhe rrobaqepësi, edhe berberi mbajnë nga -6 makina para dyqanit, pa licencë. I mbajnë nëpër rrugët e qytetit dhe përveçse nuk paguajnë tatimet, bllokojnë edhe rrugët dhe bëjnë konkurencë të pandershme. Ne paguajmë tatimet, kurse ata nuk paguajnë asgjë”,– shton një tjetër tregtar.  

I hapur që në fillim të viteve ’90, kur në vendin e sapo dalë nga regjimi komunist nisën të futeshin automjetet e para, preferencat e klientelës kanë ndryshuar, sidomos vitet e fundit. Blerësit janë të prirur kryesisht drejt automjeteve me pak kilometra. Futja e Shqipërisë në BE shihet nga këta tregtarë si ogur i mirë për zhvillimin e biznesit të tyre, për shkak të krahut të lirë të punës.

“Po shpresojmë të hyjmë në Bashkimin Evropian, që të vijnë dhe shtetet e tjera të blejnë makina tek ne, meqë dhe fuqia punëtore është më e lirë sesa në vendet e rajonit”.

Pranë këtij tregu automjetesh ushtrojnë aktivitetin rreth 30 tregtarë të licensuar. 

M.B.