Kompanitë e sigurimeve paguan 8.6 miliardë lekë ose rreth 89 milionë euro dëme vitin e kaluar. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se shuma e dëmeve të paguara pësoi një rënie të lehtë me 0.75% krahasuar me vitin 2024.

Rënia erdhi kryesisht nga tregu i sigurimit të Jetës dhe nga dëmet e paguara si objekt fond kompensimi, ndërsa në segmentin e sigurimit të Jo-Jetës dëmet e paguara u rritën me 0.35% krahasuar me një vit më parë.

Në segmentin më të madh të tregut, atë të sigurimit të Jo-Jetës, dëmet dominohen nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.

Për vitin 2025, kompanitë e sigurimit paguan 5.56 miliardë lekë ose rreth 57 milionë euro dëme të lidhura me sigurimet motorike ndaj palëve të treta. Kjo shumë përbënte rreth 70.5% të gjithë dëmeve të paguara në tregun e sigurimit të jo-jetës. 4.7 miliardë lekë ose gati 60% e totalit janë dëme të lidhura me sigurimin e brendshëm motorik TPL.

Duke filluar nga viti 2026, kompanitë e sigurimeve nisën aplikimin e sistemit bonus-malus, që ka sjellë shtrenjtim të primit të sigurimit për ata drejtues mjetesh që shkaktuan dëme vitin e kaluar.

Një tjetër produkt me peshë në rritje në strukturën e dëmeve është sigurimi vullnetar Kasko i mjeteve. Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimit paguan më shumë se 10 milionë euro dëme në këtë produkt, shumë kjo që përbënte 12.4% të totalit të dëmeve të paguara.

Struktura e dëmeve në tregun e sigurimeve reflekton atë të primeve, duke qenë e dominuar nga produktet motorike, që së bashku përbëjnë më shumë se 82% të dëmeve të paguara.

Ndërkohë, mes produkteve jomotorike, klasa kryesore e dëmeve të paguara është ajo e lidhur me sigurimin e shëndetit. Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 7 milionë euro dëme në këtë produkt, shumë kjo që përbënte 8.4% të gjithë dëmeve të paguara në tregun e Jo-Jetës.

Ndërkohë, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, ai i sigurimit të pronës nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore solli vetëm rreth 5 milionë euro dëme, shumë kjo sa 6.2% e totalit.

Veç të tjerash, kjo dëshmon nivelin e ulët të mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime ndaj katastrofave.

Ndërkohë, në tregun më të vogël, atë të sigurimit të Jetës, kompanitë vitin e kaluar kompanitë e sigurimit paguan 320 milionë lekë ose rreth 3.3 milionë euro dëme. Vlera e dëmeve pësoi rënie me 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Struktura e dëmeve dominohet nga produkti kryesor, jeta e debitorit, me 45% të dëmeve totale të paguara./ Monitor