Rënia e ndjeshme e shitjeve me pakicë në tregun e vogël industrial të qytetit i ka vënë në vështirësi të mëdha ekonomike 100 tregtarët, që ushtrojnë aktivitetin aty.

Për mikrofonin e “DurrësLajm”, ata pohojnë se e kanë thuajse të pamundur të çojnë të ardhura të mjaftueshme në shtëpi në fund të muajit.

Largimi masiv i popullsisë është një nga faktorët kryesorë që shkakton rënien e ndjeshme të konsumit.

“Po ta shikosh tregun është bosh. Vetëm gjysëm ore lëvizje në ditë ka. Rrimë kot, na zë gjumi. Vetëm 5 ditë punojmë, kur vijnë emigrantët për festa, pastaj rrimë në vend numëro. Në shkurt dhe mars vijmë vetëm për të ajrosur mallin, se punë nuk ka”.

“S’ka njerëz, fukarallëk, rrogat e ulta, ndërsa qiratë janë të shtrenjta. Nuk është puna se po punojmë për Vit të Ri dhe mund ta shtyjmë. Ne duam përditë. Sot nuk kam shitur asgjë”.

“Këtu kanë mbetur vetëm pensionistët që marrin 70-80 mijë lekë pension dhe ne presim prej atyre që të vijnë të blejnë. Rinia nuk sjell më lekë, sepse ikin ndërtojnë jetën e tyre jashtë. Këtu nuk ka të ardhura”.

“Si këtë vit nuk ka bërë vaki. Zero të ardhura, po rrijmë vetëm po paguajmë shtetin”,- ishin disa nga prononcimet e tregtarëve për “DurrësLajm”.

Në treg nuk janë të pakta dyqanet, që kanë ulur qepenin për të mos e ngritur më.

Tregtarët pohojnë se vit pas viti shitjet kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Shumë prej tyre po mendojnë t’u bashkohen 30 kolegëve që e kanë mbyllur tashmë aktivitetin tregtar.

M.B.