Gazetarja e kronikës, Anduela Llabani, nga studio e emisionit “Opinion” tha se trekëndëshi i krimit në Shqipëri janë qytetet Elbasan, Durrës, Vlorë.
“Durrësi dhe Vlora janë dy portet më të rëndësishme në vend, ndërsa Elbasani është nyja lidhëse për tranzitin e drogave të forta në Shqipëri si kokaina dhe heroina”,- tha Llabani.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi se në vendin tonë “veprojnë 4 klane kryesore që kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave”.
Gazetarja Llabani tha se emrat e krimineleve nuk mund të zbulohen nga zyrtarë të lartë të shtetit pasi ata sipas gazetares ashtu do të zbulojnë automatikisht veten e tyre. Krimi tha Llabani është lidhur me njerëzit më të fuqishëm, edhe biznesmenët kanë blerë pushtetin.
Më tej, Llabani është shprehur që të mos presim që emrat e bandave dhe klaneve t'i thotë gazetarët dhe ambasadori.
"Kur Ambasadori amerikan flet për 5 emra, imagjino organet e tjera duhet të dinë shumë emra të tjerë. Emrat mos i prit nga unë dhe s’ke për t'i gjetur as nga zyrtarë të lartë të shtetit. Nëse ata do flasin i bie të flasin edhe për vete”, u shpreh Llabani.





