21 maj 2015 – Ankth dhe frikë në provat e turit botëror të hedhjeve nga lartësitë e mëdha, që u zhvilluan në La Rochelle të Francës. Amerikani Steven LoBue, provoi të bënte spektakël nga një lartësi prej 27 metrash, por prova e tij për pak u mbyll me tragjedi.

Në momentin e shkëputjes, Steven nuk i bëri mirë llogaritë, duke përplasur kokën në cepin e platformës prej dërrase, por fatmirësisht arriti të shmangte më të keqen me një zhytje të mirë.

Forcat e sigurisë që ndodheshin në ujë i shkuan menjëherë në ndihmë, por Steven arriti të dilte vetë nga uji, duke sinjalizuar publikun se nuk kishte pësuar asnjë dëmtim serioz.

Gjithsesi, 75 mijë të pranishmit në këtë eveniment mbajtën për pak çaste frymën, të frikësuar nga ajo që ndodhi, por fatmirësisht LoBoe pësoi vetëm një çarje në vetullën e majtë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/