DURRËS, 30 gusht 2014   Është në prag fillimi i punimeve për ndërtimin e peronit të udhëtarëve, linjës nr. 3 dhe terminalit të përpunimit të vagonëve të mallrave për nevojat e parkut logjistik të miliarderit Samir Mane në stacionin hekurudhor të Kasharit.

“Dyrrah”-u mësoi nga burime zyrtare të Drejtorisë së përgjithshme të shoqërisë shtetërore / publike Hekurudha Shqiptare sha se janë në përfundim procedurat e  prokurimit të një fondi prej 24 547 787 lekë (1,7 milion euro) për “make-up”-in e stacionit të mplakur 65-vjeçar të Kasharit, që dikur shërbente për zonat industriale të Mëzez-Yzberishit dhe Valiasit (miniera qymyri, kombinat tekstili, fabrika tullash etj.)

PERONI

Stacioni i udhëtarëve në ish-stacionin hekurudhor të Kasharit nënkupton organizimin e një peroni udhëtarësh në një gjatësi rreth 100 m për lëvizjen e udhëtarëve që do të vijnë me autobus nga qyteti i Tiranes dhe anasjelltas (shih skicën e parë poshtë).

Projekti i zbatimit të punimeve u hartua në bazë të matjeve topografike në terren dhe paraqet punime për ndërtimin e peronit të udhëtarëve; murit rrethues përpara peronit, sheshit para peronit për parkimin e mjeteve që transportojnë udhëtarët si dhe shërbimet e ndryshme për personelin e stacionit hekurudhor; sistemit elektrik për ndriçimin dhe furnizimin me energji të stacionit hekurudhor; sistemit të vëzhgimit (me kamera); një godine parafabrikat për zyrat e personelit dhe funksionimin e biletarisë.

Do të jetë një stacion i vogël për transitimin e udhëtarëve nëpërmjet trafikut hekurudhor.

LINJA NR. 3

Po ashtu do të ndërtohet linja hekurudhore nr. 3, që fillon menjëherë pas fundit të ndërrueses nr. 7, tashmë e montuar në fundin e stacionit të Kasharit.

Për këtë, pas ndërrueses së majtë të montuar para 2 vjetësh, do të vendoset një ndërruese e djathtë 1:9 me R-300 m.

Linja e re do të montohet me traversa betonarme monobllok dhe shina të vazhduara të salduara S-49 kg/ml.

Kjo linjë do të shërbejë për manovrat e vagonëve të mallrave që do të shkarkohen në zonën industriale të Kasharit.

LAKNASI

Stacioni i mallrave Laknas i ndërtuar pranë Parkut të ri Logjistik Laknas do të shërbejë për përpunimin e mallrave për parkun (shih skicën e dytë poshtë).

Në mënyrë që ky stacion hekurudhor të futet në eficencë, ka nevojë për plotësimin e disa investimeve si ndërtimi i kalesës në nivel; ndërtimi i rrethimit të territorit paralel me rrugën dhe trotuarin; ndriçimi i të gjithë stacionit për efekt të ruajtjes së vagonëve hekurudhorë (mallrat e transportuara); sistemimi i sheshit në hyrje të stacionit dhe vendosja e një godine të vogël parafabrikat për shërbimet e personelit.

Info

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i ndërmarrjes Hekurudha shqiptare sha, z. Genc Alizoti, ka pohuar: “Duke parë që shërbimi ndaj qytetarëve nuk po funksionon, menduam të ofrojmë një zgjidhje alternative, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, që stacioni i përkohshëm i udhëtarëve të jetë në zonën e Kasharit, shumë pranë QTU-së dhe parkut logjistik për disa arsye specifike. E para, vendi është shumë i përshtatshëm, infrastruktura rrugore është e rregullt, si dhe kemi të rikonstruktuara dy linja hekurudhore”.

Zhvendosja e stacionit të trenit ka nisur në shtator të vitit 2013, si pasojë e vendimit të Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Mirëpo, në atë kohë, Bashkia e Tiranës sqaroi: “Për t’u krijuar të gjithë lehtësirat udhëtarëve, që përdorin linjën e trenit për të udhëtuar, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion autobusë falas për transportin e pasagjerëve të trenit, nga Tirana në Vorë dhe anasjelltas”.

PRISHJA E IKONËS. JA PSE

Kreu i shinave shqiptare z. Genc Alizoti ka deklaruar se heqja e stacionit hekurudhor të Tiranës ishte një nga gabimet më të rënda, pasi nuk gjen asnjë vend në Evropë që të mos ketë një stacion hekurudhor, pa përfshirë dëmin financiar që ka shkaktuar zhvendosja e stacionit të trenit, që arrin në 4.5 milionë euro.

Dihet që prishja e një prej ikonave të Tiranës, sikurse ishte stacioni i udhëtarëve, ku në vitet 1970 u zbatuan të rejat e fundit të teknologjisë së ndërtimit, aq “fotozhenik” dhe për kinemanë shqiptare (që na e ruan në kujtesë, shih foton kryesore kur një tren udhëtarësh i afrohet mbikalimit afër Kasharit, në km +36,200!), është planifikuar para 5 vjetësh nga lobi i ndërtuesve dhe indutrialistëve pranë opozitës së sotme, dje në pushtet.

Fondi u akordua nga qeveria Berisha në vitin 2011 edhe pas kërkesës së bizneseve të zonës për rivënien në punë të këtij stacioni.

Parku Logjistik i Tiranës, FPM, “Coca Cola”, “Stela”, QTU, “Casa Italia”, “Deka”, koncesionaret e automjeteve, City-Park, mobilieritë, kompanitë e inerteve, miellit etj. kanë nevojë për shërbimet e hekurudhës në transportin e lëndëve të para, kryesisht importi, nëpërmjet linjës ndërkombëtare në kufirin me Malin e Zi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/