Nëse po prisni të përshkoni distancën Durrës – Tiranë me tren, do duhet të prisni gjatë.

Afati i përfundimit të punimeve për projektin hekurudhor Durrës – Tiranë është shtyrë me plot 1 vit.

Në maj të vitit 2023, në përgjigjen zyrtare për “DurrësLajm” Drejtoria e Hekurudhës Shqiptare deklaronte si afat fundor të përfundimit të punimeve në terren “pranverën e vitit 2024”.

Ndërkohë, aktualisht afati final i përfundimit të punimeve është “tremujori i parë i vitit 2025”.

Nga raportimi i fundit i bërë në fillim të vitit aktual (janar 2024), rezulton të jenë kryer 60% e punimeve ndërtimore”,- bën të ditur drejtoria e Hekurudhës.

Megjithëse Hekurudha Shqiptare deklaron gjithnjë se punimet ecin me ritme të kënaqshme, arsyet e vonesave për implementimin e projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore “Durrës- Tiranë” janë disa:

“Implementimi i projektit, ka regjistruar vonesa të finalizimit të tij (projektit). Në këtë pikë vlen të theksojmë ndikimin e shkaqeve objektivisht të pavarura nga zbatuesit e projektit, si elektrifikimi i linjës hekurudhore, një element ky i rëndësishëm i paprojektuar më parë apo ndërtimi i godinave të stacioneve hekurudhore dhe urave hekurudhore, të projektuar më parë gjithashtu vetëm për rikonstruksion.

Nisur nga ndodhitë natyrore dhe elementëve të tjera që lidhet kryesisht me amortizimin, u vlerësua që të rishihet projekti dhe të vlerësohet rindërtimi i urave dhe stacioneve hekurudhore dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (TIA).

Shkak për shtyerjen e afatit të përfundimit të punimeve është dhe zgjatimi i linjës hekurudhore prej 4 km nga PTT në drejtim të Bulevardit “Zogu i Parë”. Dosja e shpronësimeve është gjithashtu një ndikues i rëndësishëm në vonesat e shkaktuara. Proçes ky tërësisht i pavarur nga Shoqëria apo kontraktori. Megjithëkëtë në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratua shpronësimi i pasurive, të cilat preken nga ndërtimi i linjës së re hekurudhore nga Vora në drejtim të Rinasit”,– thuhet në përgjigjen e Hekurudhës Shqiptare.

Krahas punimeve që po kryhen në terren për realizimin e projektit, po finalizohen nga HSH ndryshimet që lidhen me zgjatimin e linjës hekurudhore, nga PTT në fundin e Bulevardit “Zogu i Parë” duke përfunduar dizenjimin e projektit të detajuar inxhinierik.

Njëkohësisht po mendohet për sigurimin e financimit për këtë projekt mjaft të rëndësishëm me qëllim që stacioni final i trenit në kryeqytet të mos jetë në Kashar, ku është projektuar, por pranë Bulevardit “Zogu i parë”.

Rehabilitimi i linjës hekurudhore të gjatë 34.2 km, që lidh Tiranën dhe Durrësit, si dhe ndërtimi i rreth 5 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe aeroportit të Rinasit, po realizohet me fondin 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (ËBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do të financohet nga qeveria shqiptare.

Modernizimi i linjës hekurudhore që lidh kryeqytetin me qytetin port më të rëndësishëm në vend do të bëjë të mundur që distanca kohore mes dy qyteteve të jetë 22 minuta, ndërsa në aeroport mund të mbërrihet për 12 minuta.

Por deri në përfundimin e këtij investimi, që sipas Hekurudhës Shqiptare nuk do të ketë më vonesa në realizim, qytetarët do duhet të përdorim mjetet e tjera të transportit.

M.B.