29 prill 2015 – Natën e së dielës 26 prill 2015, Agim Dyla, 40 vjeç me profesion murator, u shtyp nga treni në zonën e San Miniatos afër Pizës. Megjithëse u krye autopsia e trupit të të ndjerit, përsëri nuk është përcaktuar me saktësi shkaku i vdekjes së Agimit.
Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një aksident apo me vetëvrasje. Familjarët e Agimit të zhytur në zi kërkojnë nga autoritet italiane të zbardhin shkaqet e vdekjes. Alban Dyla vëllai i Agimit, këmbëngul që ka mjaft gjëra të paqarta në vdekjen e të vëllait. Agimi, të dielën e fundit të jetës së tij, e kaloi në mënyrë shumë normale me familjen e më pas ndoqi një ndeshje futbolli, ku luante edhe i biri.
Normalisht një njeri, që e ka ndarë mendjen të vetëvritet nuk vazhdon rutinën normale të së dielës dhe në darkë të hidhet nën rrotat e trenit. Hetimet e policisë italiane, gjithsesi ende vazhdojnë.
/Gj. Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/