150 euro dëmshpërblim iu ka dhënë pasagjerëve të tragetit “Bridge” Adria Ferries, pasi u kthyen në portin e Durrësit nga Trieste ku kishin destinacionin.

Të lodhur e të stërmunduar katër ditë pasi ishin nisur nga porti i Durrësit me destinacion Triesten, trageti me pasagjerë e mallra u kthye në portin e Durrësit, pas defektit që pësoi në grupin e timonit. Pasagjerët pasi mbërritën në Durrës, deklaruan se “kanë qëndruar në mes të detit, ishin vetëm një milje larg prej portit të Triestes, por trageti nuk u ankorua  në port. Nuk u ankorua as në portin e Ankonës që ishte më afër, por na solli sërish në Durrës, nga ku u nisëm katër ditë më parë”.

“Dëmshpërblimi është sa një ditë pune në ndërtim, 50 euro dita”, thotë një pasagjer tjetër. Vetëm se çështja u bë mediatike na kompensoi kompania biletat e udhëtimit dhe 50 euro në ditë, për tre ditë qëndrimi”, thonë pasagjerët.

Trageti “Bridge” u nis të hënën nga porti i Durrësit dhe mbërriti të enjten pasdite në portin e Durrësit.

Në vitin 2012, ish-presidenti i asaj kohe, Bamir Topi, mbeti 24 orë në det, pas avarisë që pësoi trageti i linjës Bari – Durrës.

K.H.