Pasi siguruan matematikisht mbijetesën, Gugash Magani e ka lënë tri ditë pushim Teutën. Peqinasi do ta mbledhë ekipin vetëm ditën e mërkurë, kur do të zhvillojë dhe seancën e parë stërvitore për ndeshjen mbyllëse kundër Laçit, që do ta luajnë në transfertë. Durrsakët e llogarisin praktikisht të mbyllur kampionatin, derisa evituan edhe rënien një javë para fundit.
Fabio Beqja, i cili la i dëmtuar fushën kundër Vllaznisë, pas një goditje që mori në gju, komenton fitoren e qetësisë. Ai i cilëson pikët e marra ndaj shkodranëve në “Niko Dovana” të merituara.“Arritëm të fitojmë në një përballje delikate. E dinim që ishte e vështirë dhe ishim përgatitur maksimalisht për të marrë maksimumin e mundshëm. Nuk mund t’i linin asgjë rastësisë dhe, mbi të gjitha, për javën e fundit. Kundërshtari kishte ardhur nga Shkodra me qëllimin e qartë për të marrë pikë, pasi edhe ata donin mbijetesën, por ne për fat të mirë bëmë detyrën në shtëpi.Përballë tifozëve tanë, kaluam me sukses atë takim që ishte për ‘jetë a vdekje’. Skuadra tregoi grintën dhe e kërkoi me ngulm fitoren. Edhe pse shënuam vetëm një gol, rastet i kishim të shumtë dhe ndoshta me pak përpjekje mund të kishim realizuar të paktën edhe një tjetër rrjetë. Por rëndësi ka që misioni u konkretizua me sukses që të shtunën dhe ne sot jemi të mbijetuar matematikisht.Skuadra është më shumë se e qetë tashmë dhe në Laç do të shkojmë pa kurrfarë presioni dhe, mbi të gjitha, pa ngarkesën psikologjike që nuk na është ndarë gjatë këtyre javëve. Më vjen keq që, një nga dy emrat e mëdhenj të futbollit tonë, mund të bjerë nga Superiorja, por futbolli ka dhe surpriza të pakëndshme.Ajo çfarë më bën të lumtur është që ekipi im arriti të triumfonte në atë ‘finale’. Fatkeqësisht u dëmtova, por nuk ka vend për mërzi, pasi skuadra ia doli. Tani na mbetet që të përgatitemi për ndeshjen e fundit të kampionatit dhe, më pas, të shohim çdo të ndodhë”, përfundoi mbrojtësi, i cili, në fazën e tretë dhe të katërt, ka qenë një ndër titullarët e padiskutueshëm.