Laura Pausini, Alessandro Cattelan dhe Mika do të jenë ndër prezantuesit e ceremonisë së “Eurovision Song Contest 2022” në Torino, një lajm që pritet të shpallet zyrtarisht gjatë Festivalit të Sanremos në fillim të muajit Shkurt.

Thashethemet për treshen e famshme kanë qarkulluar prej muajsh dhe sipas agjencisë së lajmeve italiane, këngëtarja Laura Pausini dhe drejtuesi televiziv Alessandro Cattelan kanë nënshkruar tashmë kontratat e tyre, me përjashtim të këngëtarit britanik, Mika, i cili e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e tij. Por thuhet se tashmë ai është gati të nënshkruajë kontratën.

Njoftimi zyrtar pritet të vijë në natën e dytë të Sanremos, më 2 shkurt sepse Pausini është planifikuar të shfaqet si e ftuar speciale atë mbrëmje.

Më herët u bë me dije se Laura Pausini një ndër artistet më të njohura italiane në botë, ishte mes emrave të lakuar për t’u shfaqur në rolin e prezantueses në “Eurovision Song Contest 2022”.