Disa fakultete i kanë dhënë fund pritjes së maturantëve duke publikuar listën e fituesve. Mbrëmjen e së premtes, Fakulteti i Histori-Filologjisë, Gjuhëve të Huaja dhe Ekonomisë njohën maturantët me rezultatet e formularit A2.
Ministria e Arsimit ka dërguar listën me emrat e fituesve në të gjitha Universitetet dhe këta të fundit pritet që të bëjnë zbardhjen e tyre brenda datës 28 gusht, që është edhe afati i fundit.
Në raundin e parë, për tri fakultetet, rezulton të jenë shpallur fitues rreth 3000 persona.
Maturantët pasi të njihen me të gjitha rezultatet e fakulteteve ku kanë aplikuar kanë vetëm dy ditë kohë për të zgjedhur se ku do të studiojnë, pasi në datën 30 gusht fillojnë regjistrimet që do të zgjasin deri në datën 12 shtator.
Kjo periudhë prej 14 ditësh është e ndarë në 7 faza 48-orëshe.
Pas regjistrimit të fituesve të parë pranë sekretarive mësimore, viza e kuqe do të zhvendoset, duke u dhënë më shumë mundësi maturantëve të tjerë që janë renditur poshtë saj.
Gjatë këtyre fazave maturantët duhet të tregohen të kujdeshëm për të ndjekur hap pas hapi zhvendosjen e vizës dhe nëse rezultojnë fitues duhet të regjistrohen në fazën pasardhëse.





