Tri gazetare të shquara nga Teherani, Saeedeh Shafiei, Mehrnoush Zarei dhe Nasim Soltanbeigi, janë thirrur ndarazi në Gjykatën e Evin-it në Moghaddasi me akuzën se raportimet e tyre prodhuan “propagandë kundër sistemit”.

Agjencia aktiviste e lajmeve HRANA raportoi të enjten, më 27 prill, se gazetaret morën ftesa të veçanta, ku u kërkohej të paraqiteshin brenda pesë ditëve në gjykatë, për ta paraqitur mbrojtjen e tyre kundër akuzave të ngritura ndaj tyre.

Këto ftesa për paraqitje në gjyq vijnë në një kohë kur është shtuar kontrolli mbi gazetarët në Iran, përderisa autoritetet po përpiqen ta kontrollojnë shpërndarjen e informacionit mes protestave të shumta për çështje të ndryshme, si: kushtet e jetesës, pagat dhe mungesa e të drejtave dhe lirive.

Një raport nga Shoqata e Gazetarëve të Teheranit tregoi se që kur protestat mbarëkombëtare u intensifikuan pas vdekjes në shtator të 22-vjeçares, Mahsa Amini, ndërsa ishte në paraburgim policor për një shkelje të supozuar të rregullave për hixhabin, rreth 70 gazetarë janë arrestuar dhe disa të tjerë janë thirrur të paraqiten në gjyq.

Në aktakuzat kundër Shafieit, Zareit dhe Soltanbeigi, qeveria iraniane ka përmendur artikujt dhe shkrimet e tyre si dëshmi se kanë prodhuar “propagandë kundër sistemit”. Ato mohojnë këto akuza.

Soltanbeigi u arrestua për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar, në Aeroportin Ndërkombëtar Khomeini të Teheranit, ndërsa po përpiqej të largohej nga Irani. Pasi u mbajt në paraburgim për më shumë se një muaj, ajo u lirua përkohësisht me kusht më 7 shkurt deri në përfundim të procedimeve ligjore.

Soltanbeigi ishte një studente aktiviste në vitet e 2000-ta dhe ka punuar si gazetare për mediume të ndryshme iraniane gjatë viteve të fundit.

Ajo u mbajt në arrestim për tetë ditë në vitin 2006 për pjesëmarrje në tubimin “Gratë për Ndryshim”, përpara se një gjykatë ta dënonte me një dënim me kusht prej pesë vjetësh. Pas dy vjetëve, u tha se dënimi i saj do të anulohej nëse ajo nuk shkelte rregullat e lirimit me kusht.

Zarei, një gazetare veterane iraniane, u arrestua nga forcat e sigurisë në Teheran më 22 janar. Ajo u transferua më pas në qendrën e paraburgimit të Gardës Revolucionare. Ashtu si Soltanbeigi, Zarei u lirua me kusht në fund të shkurtit.

Ngjashëm, Shafiei u arrestua nga forcat e sigurisë në Teheran më 22 janar. Ajo u lirua përkohësisht më 8 shkurt deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Ftesat e fundit për paraqitje në gjyq vijnë pas rasteve të paprecedenta të kundërshtimit nga gratë dhe nxënëset e shkollës në atë që duket të jetë kërcënimi më i madh për qeverinë islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Amini vdiq vetëm disa ditë pasi u arrestua nga policia famëkeqe e moralit të Teheranit për dyshimin se kishte shkelur kodin e rreptë të veshjes për gratë në Iran. Autoritetet kanë fajësuar “sëmundjet” si shkak të vdekjes së saj, por mbështetësit dhe anëtarët e familjes thonë se Amini ishte rrahur ndërsa ishte në paraburgim.

Shkaku i protestave, mbi 500 njerëz janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. Pavarësisht paralajmërimeve të qeverisë se tentimet për ndaljen e protestave do të intensifikohet, iranianët vazhdojnë të dalin në rrugë./REL