Tri largime brenda ditës, Teuta e se zonit 2019-2020 nis “revolucionin”. Portieri Isli Hidi, mesfushori Gerhard Progni dhe sulmuesi Tomislav Bushiç nuk do të jenë më pjesë e durrsakëve, pasi kanë përfunduar kontratën dhe klubi ka vendosur të mos bashkëpunojë për sezonin e ardhshëm.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga drejtuesit e Teutës, teksa pas përfundimit të angazhimit në Europë, palët mbyllën gjithçka duke i dhënë duart njëritjetrit. Në ditën e largimit, nga “djemtë e detit” u mësua edhe klubi i ri i Prognit.
Mesfushori me tipare sulmuese do ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kosovës me klubin e Gjilanit, aty ku si trajner është vlonjati Gentjan Mezani. Ishte vetë klubi kosovar që zyrtarizoi afrimin e Prognit, teksa lojtari do të bashkohet me skuadrën e re pas disa ditësh.
Te Gjilani mesfushori do të gjejë edhe ishmbrojtësin e Teutës, Erlis Frashëri. Dje në mbrëmje Prognit dhe Frashërit iu bashkua edhe Bushiç, i cili firmosi me Gjilanin. Ndërkohë, portieri Hidi ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por që ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë.
Portieri ka shumë eksperiencë dhe çdo skuadër do të dëshironte ta kishte. Tomislav Bushiç qëndroi vetëm gjashtë muaj te Teuta, duke luajtur 12 ndeshje në kampionat, 2 në Kupën e Shqipërisë dhe 2 në Ligën e Europës. Sulmuesi kroat shënoi vetëm dy gola, duke qenë larg pritshmërive.
Megjithatë, ai ndihet keq që nuk qëndroi në Durrës dhe jep një mesazh mirënjohjeje për të gjithë ata që e mbështetën në këtë eksperiencë të shkurtër.
“Çdo fillim ka një fund. Shumë faleminderit qytetit të Durrësit, klubit të Teutës, stafit dhe presidencës. Ishte kënaqësi të luaja me Teutën. Kalova momente të lumtura dhe kjo ndarje po më dhemb, por gjithsesi jam i vetëdijshëm se një ditë do të ndodhte. Tani kur edhe zyrtarisht unë nuk jam pjesë e Teutës, dua të them se ndihem jashtëzakonisht krenar për gjithçka që bëra për klubin dhe atë që skuadra bëri për mua. Largohem me kujtimet më të bukura, sepse gjërat negative i kam fshirë nga memoria. Ndoshta pengu i vetëm që më mbetet është fitimi i një trofeu. Klubit të futbollit Teuta i uroj gjithë të mirat në të ardhmen, pasi ai qytet dhe ajo tifozëri meritojnë fitore dhe tituj”, deklaroi Bushiç.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur zëra se portieri që mbylli sezonin e Kukësit, Stivi Frashëri, ka arritur marrëveshjen me Teutën. Mirëpo, në klubin durrsak nuk e konfirmojnë diçka të tillë, edhe pse mes palëve mund të ketë pasur bisedime. Gjithsesi, është fakt që Teuta do të kërkojë portier pas largimit të Hidit.
Merkatoja e verës ka sjellë largime në masë, sepse zyrtarisht nuk janë më pjesë e ekipit emra si Latif Amadu, Erlis Frashëri, Sekou Kamara, Ditmar Bicaj, Esin Hakaj, Dajan Shehi, Armando Vajushi, Bubakar Traore, Tefik Osmani, Gerhard Progni, Tomislav Bushiç dhe Isli Hidi. Ekipi pritet të plotësohet në ditët në vijim, por drejtuesit nuk duan të nxitohen për afrimet.





