Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzon kryeministrin Rama dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, që sipas tij kanë dhënë tre versione të ndryshme për ndërtimin e Portit Tregtar të Durrësit.
Ndryshe nga çfarë u tha dje gjatë prezantimit, ku kryeministri u shpreh se financimi do jetë 46% nga qeveria dhe 54 % nga PPP, ministrja Balluku u shpreh rreth një muaj më parë se financimi do të bëhet plotësisht nga Autoriteti Portual Durrës.
Bardhi thotë se ky është një mashtrim dhe akt i paprecedentë, ndërsa thekson se kështu do të ndryshojnë edhe financimin për aferën e Portit të Durrësit.
Statusi nga Gazment Bardhi
“Qeveria ka mashtruar Parlamentin. Një akt i rëndë dhe i paprecedentë. 👇
Rama-Balluku përgënjeshtrojnë vetveten dhe në më pak se 1 muaj kanë thanë 3 opsione të ndryshme për financimin e portit të ri në Porto Romano.
- Do ta financojë plotësisht Autoriteti Portual Durrës. Nuk do të jetë koncesion apo PPP.
- Do ta financojë Autoriteti dhe qeveria.
- Do të jepet me PPP. 46% qeveria, 54% privati.
Kështu do të ndryshojë edhe financimi për aferën e portit të Durrësit. Nga “Emaar” tek “Alabar” dhe më pas nuk dihet ku do të përfundojnë. Ky është fakti më domethënës që shkatërrimi i Portit të Durrësit, do të shndërrohet në pastrimin më të madh të parave në histori.