Forca Detare shpëton një gomone me dy persona në bord, e cila rrezikonte të mbytej në det. Pas 3 orësh aksion në det të rënduar, fatmirësisht dy shtetasit Bledar Janushaj nga Vlora dhe Atilo Dibello nga Brindisi i Italisë, u shpëtuan.

Operacioni për shpëtimin e tyre

Në orën 21:10 të mbrëmjes së të hënës, në veriperëndim të Sazanit, në distancë 5 milje nga bregu, policia thotë se ka marrë njoftim se një gomone me dy persona në bord, kërkonin ndihmë pasi mjeti tyre për shkak të motit të keq rrezikon të mbytet.

Forca Detare nxori menjëherë në operacion anijen e gatshme të rojës bregdetare “Mati”.

Në orën 22:50, anija “Mati” arriti të gjejë e të lokalizojë skafin. Mjeti lundrues ka kryer disa herë manovra për të bërë të mundur tërheqjen e skafit, por për shkak të motit tepër të rënduar është këputur cima.

Personat në bordin e skafit deklaruan se skafi po merr ujë dhe si rrjedhojë rrezikonin jetën në mjet.

Në orën 00:35 të 7 marsit, është bërë i mundur imbarkimi i personave në bordin e anijes “Mati”.

Gjendja shëndetësore e dy shtetasve është e mirë. Bledar Janushaj nga Vlora dhe Atilo Dibello nga Brindisi i Italisë u shoqëruan drejt Triportit, ndërsa skafi u mbyt afërsisht 2.2 milje në veriperëndim të Sazanit.

Policia Kufitare po kryen veprimet e mëtejshme për rastin.