Teuta këtë sezon ka bërë një kampionat me shumë osshilacione, por durrsakët tashmë besoje apo jo janë vetëm 3 pikë larg “Final – Four”. Deri para pak javësh “Djemtë e Detit’ luftonin për të dalë nga “Play-Out”, ndërsa në dy javët e fundit do të tentojnë mrekullinë.
Skuadra e udhëhequr nga Edi Martini ka arritur të marrë 10 pikë në 4 javët e fundit duke u ngjitur kështu në vendin e 7-të në tabelën e klasifikimit. 3 pikë larg top-4 nuk janë shumë, kur në lojë janë edhe 2 javë nga fundit dhe fitorja ndaj Egnatias u ka dhënë akoma më shumë “zemër”.
Asgjë nuk është e pamundur, teksa dhe kalendari nuk është shumë i vështirë për durrsakët. Fillimisht do të luajnë ndaj Erzenit, me shijakasit që kanë “larë duart” me Superioren dhe sezonin e ri do të luajnë në Kategorinë e Parë.
Ndërsa “Djemtë e Detit” këtë sezon do ta mbyllin në “Niko Dovana” ku presin ekipin e Dinamos, me “Blutë” që siç dihet duan “Final – Four”. Luftë sportive do të jenë 2 javët e fundit të Superiores dhe mbetet të shihet se cilat skuadra do festojnë në fund.