Nga Gladiola Busulla

Profil qytetar: Dorina, Asel dhe Iliana Tati. 

  • Për familjen Tati, njëra ndër më të njohurat e më të konsoliduarat në qytetin e Durrësit e pasardhësit  e saj, shumëkush ndjen simpati dhe konsideratë. Të gjithë i kujtojmë me respekt profesorët e nderuar Prokop, Vangjel e Vasil Tati, si dhe ekonomistin Anastas Tati. Një familje kontributive me vlera arsimore dhe traditë që i shërben shoqërisë dhe zhvillimit të saj.

DURRËS, 28 dhjetor 2014 –  Fatmirësisht dhe në gjeneratat e reja të familjes Tati renditen tri zonja të jashtëzakonshme që shërbejnë si shembull pozitiv dhe për më tepër nderojnë Durrësin dhe shqiptarët me arritjet e tyre jashtë vendit.

Dorina Vangjel Tati e diplomuar për Kimi në Liege (Liezh) Belgjikë, ku dhe jeton prej shumë vitesh.

Karriera e saj është shumë e pasur dhe shënon shumë suksese në këtë fushë (kimi), së cilës Dorina i ka dedikuar të gjitha energjitë e saj. Më pas, ajo ka kryer studimet master po në Kimi dhe gjatë doktoraturës në Kimi Fizike, ka punuar për dy vjet si pedagoge pranë Warwick University, në Mbretërinë e Bashkuar dhe më tej si asistent pedagoge në Universitetin e Liezhit, ku profesorët që e njihnin dhe vlerësonin për talentin e saj donin ta mbanin aty. Por ambicjet e Dorinës, gjenialiteti dhe etja e saj për kualifikime dhe studime të mëtejshme s’mund ta kufizonin brenda mureve të universitetit.

Fillimisht u punësua në një Ndërmarrje Bioteknologjike në Liezh si menaxhere cilësie. Pasi u kualifikua në “Kërkim dhe zhvillim në një ndërmarrje kimike” dhe përfundoi dhe MBA në Biznes gjatë viteve (2011 – 2012), ajo shënoi suksesin më të madh të karrierës së saj, një sukses me rëndësi në rang botëror.

Dorina Tati u emërua menaxhere në “Uzinën e  Prodhimit të Acidit Fosforik” ( Uzina Prayon) në Liezh dhe njëherazi u bë gruaja e parë menaxhere në një fabrikë të tillë, jo vetëm në Belgjikë, por në të gjithë botën.

Teksa “Dyrrah”- u e pyet për pasionin e saj të madh kiminë, Dorina shprehet se: “ Jam vërtet e apasionuar pas kimisë fizike dhe kërkimit të aplikuar. Kështu që jam patentuar tri herë në fushën e prodhimit të acidit fosforik. Gjithashtu për t’u ngritur në nivel drejtues, përforcova dhe formimin ekonomik që studimet shkencore s’ta mundësojnë, ndaj bëra dhe një MBA".

– Dorina, si është puna me burrat, pasi ti operon në një profil tërësisht mashkullor dhe në një farë mënyrë “ke shkelur Hënën” për herë të parë?

– Edhe në Belgjikë që dihet se është një shtet shumë i zhvilluar dhe i emancipuar, përpara të njëjtave kompetenca, në fusha të veçanta, preferohet një burrë. Gjithsesi, përmes profesionalizmit dhe përkushtimit tim kam arritur të drejtoj 50 punonjësit e mi, të gjithë meshkuj, dhe ritmin tejet kërkues dhe sfidues të punës.

Pavarësisht intensitetit dhe karrierës së suksesshme, Ph.D Dorina Tati ka krijuar një familje të bukur me bashkëshortin Antoine Hoxha, një tjetër shqiptar i suksesshëm (Kimist në profesion dhe drejtor teknik i “Fertiliseurs Europe”) dhe djalin e tyre 17 vjeçar Jean –Luc.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asel Vangjel Tati (motra e Dorinës) e përkushtuar pas psikologjisë dhe estetikës drejton institutin e saj “Le reflet du soleil”. E specializuar në “Estetikë dhe drejtim në mirëqenie”, Aseli ka krijuar një ambjent pune të ngrohtë, mikpritës, ku mund të gjesh elemente interesante të kulturës Zen, muzikë relaksuese dhe kushdo sipas nevojave dhe preferencave mund të aplikojë: masazhe terapeutike, kura të ndryshme bukurie, refleksologji plantare etj.

– Asel, përse i je dedikuar kesaj fushe?

– Në radhë ta parë dua të theksoj se jam e apasionuar pas bukurisë së brendshme dhe mirëqenies së njeriut. Përmes punës sime përpiqem të ndihmoj të tjerët në kapërcimin e problemeve, t’u qëndroj pranë dhe t’i bëj të ndihen mirë me veten dhe të tjerët. Me të gjithë klientë-pacientët e mi kam krijuar lidhje shpirtërore dhe i ndiej vërtet si miqtë e mi. Për mua kjo punë i ngjan më tepër një misioni se sa një profesioni. Është shumë impenjative dhe përpiqem të jem gjithmonë në dispozicion të klientëve të mi ose më saktë miqve të mi.

– Ç’u ofroni klientëve që ju kanë zgjedhur juve?

-Ah, ata tashmë frekuentojnë prej shumë kohësh institutin tim. Aty vijnë të sëmurë me shqetësime zemre, kancer, migrenë, pagjumësi, depresion etj. atëherë po e sqaroj që unë s’jam mjeke, por ata në “Le reflet du soleil”(Refleksi i diellit) përfitojnë përkujdesje dhe vëmendje të veçantë. Tashmë shumë prej tyre janë “Addicted to me” sepse me qetësinë dhe mbështetjen që u jap gjejnë tek unë një mike të besuar. Kam rreth 14 vjet që punoj me politikane, avokatë, profesorë, mjekë.

– Me se operoni në punën tuaj?

-Atëherë përdor shumë elemente orientale si: vajrat aromatike të çdo lloji, që u adaptohen shqetësimeve të klientëve të mi; përdor gjithashtu produkte si ginseng, portokall, kanellë pra produket bimore që u shërbejnë masazheve oriental me gurë të ngrohtë.

Aseli, njëkohësisht është dhe make up artist dhe ka krijuar bashkëpunime serioze me manifestimet e bukurisë në Liezh. Për të dhënë maksimumin e tyre, vajzat konkurente në eventet e bukurisë, nxitojnë të gjejnë refleksin e duhur nën kujdesin e Asel Tatit.

Së fundmi dhe Aseli ka një familje të mrekullueshme me bashkëshortin e saj belg Jean-Marie Berthus dhe djalin e tyre.

 

 

Iliana Vasil Tati ka përfunduar studimet në Manhatan College New York për biologji dhe kimi. Meqenëse ajo cilësohej si njëra ndër studentet më të mira sepse u vlerësua me “Suma cum laude” dhe mesatare 4.0 që konvertohet me notë 10 absolute në Shqipëri, Iliana u përfshi në shoqatën Phi Betta Kappa (ku bëjnë pjesë vetëm 1% e studentëve amerikanë dhe njëherazi anëtare e shoqatës së nderit Phi Delta Epsilon kushtuar studentëve të mjekësisë.

Më pas ka vijuar studimet në Universitetin e Pensilvanisë ( i pari në SHBA në lëmin e stomatologjisë). Atje ka mbaruar studimet me rezultate të larta dhe është përfshirë në “The national dean’s list”. Iliana ende e etur për t’u kualifikuar , vazhdoi sërish studime pasuniversitare për : punime në lazer, drejtimin e dhëmbëve, protezat, implantet etj.

Përsa u përket eksperiencave profesionale, Dr. Iliana Tati ka punuar 4 vjet në shtetin e Virxhinias në një qendër estetike si stomatologe. Aktualisht, së bashku me 2 partnerë të tjerë ajo zotëron një klinikë dentare në West Chester (Pensilvani).

Dr. Iliana Tati është shpallur “Dentistja më e mirë në West Chester për vitin 2013 -2014 “.

E pyetur nga "Dyrrah"-u rreth profesionit të saj, ajo pohon se " Fakti që kujdeset për buzëqeshjen e njerëzve i fal shumë sadisfaksion. Buzëqeshja rrezatuese ndikon në autostimën dhe vetëbesimin e pacientëve të saj. Ajo ndodhet gjithmonë pranë tyre duke u dhënë këshillat dhe përkujdesjen e duhur".

Pavarësisht impenjimeve të shumta, Iliana certifikohet vazhdimisht për t’u perfeksionuar gjithnjë e më shumë në aspektin profesional. Gjithashtu ajo është dhe anëtare e Klubit të Rotarianëve të Pensilvanisë.

Iliana Tati është e martuar me Fatmir Xhixhabesin, ish- nëndrejtor i Doganës së Durrësit, aktualisht menaxher në Bashkinë e qytetit ku jetojnë (West Chester) dhe kanë së bashku dy djem të mrekullueshëm.