Zvicër, 18 mars 2014 – Në finalen “Miss Zvicra 2013” merrnin pjesë tri bukuroshe shqiptare. Ato vërtet nuk hynë në mesin e tri më të bukurave, por, sidoqoftë, si sukses mund të konsiderohej edhe arritja e tyre në finale.
Edhe këtë vit kemi një përfaqësim të njëjtë në spektaklin e bukurisë zvicerane. Sërish në mesin e 18 finalisteve janë tri vajza shqiptare. Siç i ka prezantuar revista “Schweizer Illustrierte” në numrin që ka dalë të hënën, më 17 mars, tri finalistet shqiptare janë: Donika Krasniqi, Saranda Maliqi dhe Anita Shala, raporton Albinfo.
Informacionet për vajzat shqiptare ashtu si dhe për të gjitha kandidatet jepen ende mjaft të kursyera.
Donika Krasniqi është 19 vjeçe. Ajo studion artin dhe vjen nga lokaliteti Thelle-Wavre në kantonin frankofon Neuchatel (Neuenburg).
Anita Shala është 20 vjeçe dhe jeton në Emmenbrücke të Lucernit, ku punon si asistente dentisti.
Ndërsa Saranda Maliqi është më e vjetra në mesin e tyre. Ajo ka mbushur 23 vjet, jeton në Schönnewerd të Solothurnit dhe punon si asistente e sekretarit të komunës si dhe përgjegjëse për nxënësit në zanat.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





