Një rast që të kujton një thriller krimi po trondit Indinë, pasi policia pretendon se një grua 32-vjeçare orkestroi vrasjen e burrit të saj, duke përdorur një gjarpër shumë helmues, me qëllim që vdekja e tij të dukej si një aksident tragjik.

Viktima është Atul Kumar Panwar, 32 vjeç, pronar i një qendre private kujdesi për fëmijët në distriktin Meerut të shtetit Uttar Pradesh.

Burri u gjet i vdekur të premten në mëngjes në shtëpinë me qira ku jetonte me gruan e tij dhe djalin e tyre gjashtëvjeçar.

Sipas hetimit të policisë, gruaja e tij, Damini, dyshohet se e planifikoi vrasjen së bashku me shoferin e autobusit shkollor të kompanisë, Tussar, me të cilin, sipas autoriteteve, ajo kishte një lidhje jashtëmartesore.

Hetuesit besojnë se fillimisht i dhanë 32-vjeçarit qumësht të përzier me pilula gjumi. Kur ai ra në gjumë, ata përdorën një gjarpër krait, një nga gjarpërinjtë më helmues të Azisë, për ta kafshuar ndërsa ai flinte. Plani ishte që vdekja të dukej si një pickim aksidental i gjarprit.

Gjarpri u gjet në shtrat

Të nesërmen në mëngjes, gruaja i njoftoi fqinjët se burri kishte vdekur nga një pickim gjarpri. Gjarpri u gjet në shtratin e viktimës, të cilin kalimtarët e vranë në vend.

Trupi i 32-vjeçarit kishte shenja kafshimi në dorë dhe këmbë, duke e bërë policinë fillimisht të besonte se ishte një aksident.

Çështja mori një kthesë tjetër kur babai i viktimës u raportoi autoriteteve se nusja e tij ishte përgjegjëse për vdekjen e të birit.

Gjatë hetimit, policia zbuloi se shoferi i autobusit shkollor kishte punuar në kompani vetëm për tre muaj dhe dyshohej se kishte një lidhje jashtëmartesore me gruan e viktimës.

Hetimet çuan në arrestimin e gjithsej katër personave: gruas, të dashurit të saj të dyshuar dhe dy magjistarëve të gjarpërinjve, të cilët akuzohen për furnizimin dhe përdorimin e zvarranikut helmues për të zbatuar planin.

Ata kishin hapur një shkollë së bashku disa muaj më parë.

Atul dhe Damini ishin martuar në vitin 2019 dhe kishin jetuar në shtëpi me djalin e tyre gjashtëvjeçar për katër muajt e fundit.

Vetëm tre muaj para vrasjes, ata kishin hapur shkollën e lojërave Krishna Kids, ku Tushar punonte gjithashtu si shofer autobusi shkolle.

Sipas shefit të policisë së rrethit, provat e mbledhura tregojnë se vdekja e 32-vjeçarit nuk ishte rezultat i një aksidenti, por një vrasje e paramenduar, e cila ishte projektuar të dukej si një vdekje natyrale nga një pickim gjarpri.