Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se rasti i vendosjes së tritolit të banesës së një efektivi në Shkodër, është i nënti që ndodh në pak kohë.

Në një intervistë për “Newsline”, Karamuço u shpreh se efektivi ka qenë në aksion për asgjesimin e lëndëve narkotike.

Sipas Karamuços, kemi të bëjmë me grupe të rrezikshme kriminale.

“Jemi në rastin e nëntë, ky është rasti i nëntë i shpërthimit me eksploziv të banesave ose të makinave të efektivëve të policisë në Shkodër. E kam përsëritur dhe do ta përsërish prapë, qarku i Shkodrës është kampione e asgjesimit të kultivimit të lëndëve narkotike. Efektivi ka qenë punonjës i zonës së Pultit dhe para një jave ka qenë në aksion për asgjesimin e këtyre lëndëve. Në këmbim të kësaj, ka marrë si kosto dhe shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e djeshme. Aktualisht që ne flasim, ka një aksion shumë të madh që po zhvillohet nga RENEA dhe FNSH me helikopter, pasi ka dy persona në kërkim, që dyshohet se kanë kryer këtë atentat, por edhe ngjarje të tjera të rënda ku kanë pasur objekt Policinë e Shtetit. Përpara disa ditësh se kryeministri Rama të mbërrinte në Theth, disa kilometra larg këtij fshati, një prej dronëve të policisë, nga ato që ne i kemi me një distancë deri në 10 kilometra me komandim, është qëlluar me shotgan nga grupet kriminale. Është rrëzuar dhe që nga ajo kohë, ne kemi përdorur me mënyrë të kombinuar edhe dronët Bayraktar që janë ngritur nga Kuçova. Ky ka qenë edhe një nga arsyet që presidenti Vuçiç dje, e ka përmendur në një takim me ushtarakët e lartë, që Shqipëria ka ngritur dronët dhe po i kalon afër Gajakovës. Në fakt këto ishin për kanabis sativën e Malësisë së Dukagjinit, dhe po vrojton lëvizjet e trupave uishtarake serbe. Këtë e them si paradoks të madh, midis asaj që ndodh në Shqipëri dhe asaj që mendojnë serbët. Ne kemi përballë grupe shumë të rrezikshme kriminale, të cilët ndonjëherë na përkëdhelen edhe nga struktura të Policisë së Shtetit, por edhe politike vendore. I kanë dalë shtetit përballë me armë në dorë. Kjo duhet të marrë fund një herë e mirë”, theksoi ai.