Sarandë, 13 qershor 2014 – Shpërthimi i tritolit që pak ditë më parë shkatërroi shumë biznese dhe prona familje në Plazhin e Durrësit i la vendin sot dëmtimit ekologjik në Ksamil.

Gjatë aksionit të zhvilluar nga INUK në ishujt e Ksamilit, në kuadër të lirimit të hapësirave bregdetare nga ndërtimet e paligjshme, u prish një objekt pa leje, i cili shtrihej në pjesën jugore të ishujve, në një sipërfaqe prej 2000 metrash.

Godina që shërbente si hotel ishte ndërtuar në breg të detit, ndërsa pronarët nuk posedonin asnjë leje ndërtimi apo dokument pronësie.

Shembja edhe në këtë rast u realizua me shpërthim të komanduar nga forcat e INUK që këmbëngulin se ndoqën me përpikmëri procedurat e parashikuara në të tilla raste.

Por duke hedhur në erë godinën, ata i vunë flakën dhe pyllit përreth.

Burime okulare i thanë agjencisë noa.al se nga shpërthimi, mori flakë bimësia në një sipërfaqe të konsiderueshme në Ksamil.

Banorët u shprehën të shqetësuar nga ky fakt. Ata pohojnë se në Ksamil bimësia është në rrezik sepse prej shumë vitesh jo vetëm askush nuk kontribuon për ta shtuar bimësinë, por në disa raste dëmtohet me zjarre të ndryshme.

Zyrtarisht INUK pranoi faktin. Ky inspektorat tha sot pasdite se gjatë procesit të demolimit të godinës, si pasojë e shpërthimit, mori flakë bimësia përreth objektit. Duke theksuar se ishte shkurre dhe bar.

Me ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses, zjarri u neutralizua.

/noa.al/