SHKODER, 19 shkurt 2013 – Shpërthimi i një sasie tritoli ka shkaktuar panik te qytetarët mëngjesin e sotëm në lagjen 'Skënderbeg' në Shkodër.
Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se sasia e tritolit ishte vendosur në makinën e efektivit të policisë së Pukës, Pavlo Vuksani, e cila ishte parkuar në oborrin e banesës së tij.
Në momentin e ngjarjes në banesë kanë qenë të gjithë pjesëtarët e familjes Vuksana, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar, ndërsa makina e efektivit të policisë është dëmtuar rëndë.
Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e krimit, ndërkohë që policia po punon për të zbardhur ngjarjen.
Sipas policisë, nuk përjashtohet pista që shpërthimi të ketë lidhje me detyrën e pronarit të shtëpisë, i cili punon në Policinë e Pukës.





