Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse është regjistruar gjatë natës në fshatin Zallë, Fushë-Krujë. Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse dyshohet se është vendosur në derën e banesës së Ylli Zallës.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa ka marrë flakë dhe është djegur edhe automjeti në pronësi të këtij personi, i cili ishte i parkuar pranë banesës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Gjatë natës, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, në derën e banesës së shtetasit Y. Z., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, si dhe ka marrë flakë dhe është djegur automjeti në pronësi të këtij shtetasi, i cili ishte i parkuar pranë banesës. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”.