DURRES, 24 shtator 2013- – Persona të panjohur kanë vendosur një sasi tritoli poshtë automjetit të kryetarit të komunës së Golemit, Agron Agalliu. Fatmirësisht lënda plasëse, e mbështjellë me një qese plastmasi, ka rënë nga makina dhe nuk ka shpërthyer. Banorët e zonës kanë njoftuar policinë, e cila konfirmoi se bëhej fjalë për një sasi tritoli, të cilit ishte vendosur një mekanizëm që komandohej me telefon, por rënia e tij në rrugë ka shmangur dhe shpërthimin, duke evituar kështu një ngjarje të rëndë. Kryekomunari Agalliu në një komunikim telefonik në “News24” bëri të ditur se ishte njoftuar nga kalimtarët për një qese poshtë makinës, por ai nuk i kishte kushtuar rëndësi duke vazhduar rrugën. Agalliu rrëfen se është njoftuar më vonë nga policia se qesja e rënë nga automjeti i rij përmbante lëndë eksplozive. Kryekomunari mohoi të ketë patur konflikte apo kërcënime. 

“U ngrita në mëngjes për të ikur në një varrim në Berat. Më thanë ke një qese poshtë makinës. Nuk kam patur konflikte, do ti kisha vënë rëndësi dhe plastmasit po të kisha, nuk i vura rëndësi. Nuk kam patur as konflikte, as kërcënime absolutisht.”- deklaroi Agalliu. 
I pyetur nëse pas kësaj ngjarjeje do të kërkojë mbrojtje nga policia, Agalliu tha: “Për çfarë të kërkoj mbrojtje, unë nuk kam asnjë lloj hasmërie, asgjë”. 
Ndërkohë ekspertët e policisë po punojnë për të identifikuar personat që vendosën lëndën plasëse në makinën e kryekomunarit të Golemit.