Policia e Krujës ka zbardhur një ngjarje të ndodhur rreth 1 muaj më parë ku një biznesi në Nikël iu vendos lëndë eksplozive.

Nga burimet zyrtare mësohet se një person është arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, pas një pune hetimore intensive kanë zbardhur ngjarjen e ndodhur në datë 16 gusht 2019, ku biznesit (parukieri) të shtetases R.Sh., iu vendos lëndë plasëse.

Policia arrestoi në flagrancë, si autor i dyshuar për ngjarjen e mësipërme shtetasin B.Sh., 24 vjeç, banues në Nikël, për veprat penale "Shkatërrim prone me eksploziv" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve", si dhe shpalli në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.Sh., 28 vjeç, banues në Nikël.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• 5 fitila zjarrëpërcjellës; 

• 5 kapsolla detonatore.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit fton qytetarët të vijojnë të mbështesin dhe bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie, në numrin unik 112 apo në Komisariatin Dixhital, se vetëm bashkërisht e luftojmë më mirë paligjshmërinë dhe ndërtojmë një ambient sa më të sigurt për fëmijët tanë!