Fushë-Krujë, 18 prill 2014 – Në portën e Komisariatit të policisë Fushë-Krujë u krye një shpërthim me lëndë plasëse në orët e para të mbrëmjes së të premtes së Pashkëve. Nga shpërthimi nuk rezultojnë të vdekur apo të plagosur, vetëm dëme materiale jo të mëdha.

Shpërthimi është kryer me lëndë shpërthyese të tipit semi-plastike. Ekspertë xhenierë mendojnë se ka një probabilitet të lartë, që lënda plasëse e përdorur të jetë e markës “Nobelex”.

Kjo lloj lënde plasëse përdoret për qëllime civile, kryesisht shkatërrim shkëmbinjsh, por edhe për qëllime ushtarake, veçanërisht nga nën repartet  zbuluese diversioniste, për shkatërrim objektesh, ndërtim minash surprizë, krijim fugasesh në shpate malore të rrugëve automobilistike etj.

Pajisja plasëse e përdorur kundër portës së komisariatit ishte relativisht rudimentale, sepse për detonimin e saj ishte përdorur fitil zjarrpërcjellës i thjeshtë, jo shpërthim nga distanca me telekomandim.

Gjatë këtij viti, në komisariatin e policisë së Fushë-Krujës është vendosur edhe dy herë të tjera eksploziv, që ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Në asnjërin nga rastet nuk janë zbuluar autorët e vendosjes së eksplozivit. 

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/