Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur në orën 04.35 të mëngjesit të sotëm në lagjen nr.1 Sarandë.
Shpërthimi ka ndodhur në banesën e shtetasit Lefter Lefteri i njohur si Afez Kulla.
Lënda eksplozive e dyshuar si tritol ishte vendosur te porta jashtë e vilës. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, policia ndodhet në vendngjarje.
“Më datë 05.12.2022 rreth orës 04:45, në lagjen nr.1, Sarandë, në murin rrethues të banesës së shtetasit L. L, ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale,” njoftoi policia.
Në objektin 3 katësh ku u vendos eksplozivi jetonte familja prej 4 anëtarësh e 54-vjeçarit.
Ky i fundit rezulton ndërtues, ndërsa më parë ka qënë punonjës i administratës publike.
Muajt e fundit Lefteri është kallëzuar madje dhe shoqëruar në Komisariat lidhur me një objekt në ndërtim e sipër në lagjen nr.1. Nuk dihen ende motivet e ngjarjes.





