Ditën e sotme, Policia e Durrësit u njoftua nga Shërbimet e OSHEE-së se në vendin e quajtur Kodër Thumanë, ishte konstatuar dëmtimi i dy këmbëve mbajtëse të një shtylle të tensionit të lartë.

Menjehere në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, të cilët kanë siguruar vendin e ngjarjes.

Nga kryerja e veprimeve verifikuese në terren është konstatuar se kanë ndodhur 2 shpërthime.

Dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur në datë 13.05.2017 rreth orës 02:00. Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar 5 shtetas, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.

Shtetasit e shoqëruar banojnë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe deklarojnë se para 3-4 ditësh kanë dëgjuar dy shpërthime të njëpasnjëshme, por nuk e kishin lokalizuar vendin.

Efektivet e Policisë kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur dhe dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme:

  • disa mbetje lënde plasëse e dyshuar eksploziv;
  • rreth 40 cm fitil zjarrëpërcjellës i djegur;
  • mbetje prej qelqi që është përdorur si mekanizëm për ndezje.

Veprimet e tjera procedurale po kryhen nga Specialistë të Drejtorisë Kundër Akteve Terroriste Tiranë.