Sot më 24 shkurt, në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion mbahet një tjetër seancë për procesin ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale.

Rigels Rajku, ose siç e njohim të gjithë, reperi Noizy është thirrur si viktimë e veprës penale, pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës, të cilit iu vendos lëndë plasëse në qershor të vitit 2022.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, tritoli u vendos me urdhër të Haxhiut, pas sherrit që kishte pasur këngëtari me një tjetër reper, Kleviol Ahmeti, ose siç njihet me pseudonimin Cllevio Serbiano.

Asokohe, në rrjetet sociale doli edhe videoja kur Noizy dhunoi Cllevio-n, duke i shkaktuar mpiksje gjaku në kokë.

Në gjyq, këngëtari do të përballet me Haxhiun, i cili është dënuar me burg përjetë për atë që njihet si Masakra e Lushnjes, ngjarje e ndodhur në 2017-ën.

Më 4 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Laert Haxhiun dhe dy të tjerë të akuzuar si të përfshirë në vrasje e disa ngjarje të tjera kriminale.

Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK tha se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.