Bashkia e Sarandës ka reaguar në lidhje me shpërthimin me tritol të hotel “Bizanti” në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në lidhje me ngjarjen, Bashkia e Sarandës shpreson zbardhjen e plotë të saj sa më herët, teksa njofton se gjenden pranë qytetarëve për çdo nevojë që mund të kenë.

Njoftimi i Bashkisë Sarandë:

Pas situatës jo të zakonshme, të krijuar mëngjesin e sotëm në një nga bizneset hoteliere në shëtitoren e qytetit të Sarandës, një grup specialistësh të Ndërmarrjes së Shërbimeve, Emergjencave Civile dhe Shërbimit Zjarrfikës, kanë evidentuar dëmet e shkaktuara në hapësirat publike përreth.

Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashki, po punojnë në shëtitoren e qytetit dhe hapësirat publike përreth, për të bërë të mundur eliminimin e pasojave dhe dëmeve në këto hapësira, si dhe normalizimin e situatës. Në të njëjtën kohë, u gjendemi pranë qytetarëve të dëmtuar për çdo nevojë, që mund të kenë, për kapërcimin e kësaj situate.

Inkurajojmë strukturat ligjzbatuese për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Jemi të bindur se kjo ngjarje dhe pasojat e saj, të cilat, për fatin e mirë janë vetëm materiale, do të eliminohen shpejt dhe nuk do të kenë asnjë impakt negativ për qytetin.