Dy ditë më parë, makina që përdorej nga Drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit, si dhe bashkëshorti i saj, u hodh në erë me eksploziv, por sot grupi hetimor zbulon pistat e hetimit edhe motivet e kësaj ngjarjeje që shkaktoi panik te banorët e pallatit, poshtë të cilit ishte parkuar automjeti, pasi shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa iu thyen edhe xhamat e dritareve.

“BalkanWeb” raporton se policia po heton në një pistë të vetme, pasi dyshojnë se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës të Besmira Nikos (Drejtoreshë e Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit), bashkëshortes së pronarit të mjetit “Citroen” me targa PG 6433 B.

Të njëjtat burime sqarojnë se vënia e tritolit dyshohet se ka lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit nga drejtoresha e Urbanistikës në zonën buzë liqenit. Për të vërtetuar dyshimet, blutë e Pogradecit kanë sekuestruar celularët e bashkëshortëve Niko, Besmirës dhe Piros me profesion inxhinier privat dhe po verifikon tabulatet e numrave të tyre.

Po ashtu thuhet se vendosja e eksplozivit dyshohet të jetë një paralajmërim për çiftin e bashkëshortëve, duke qenë se ishte vendosur në mënyrë krejt amatore.

Policia e Pogradecit deri më tani ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona, dëshmitë e të cilëve kanë rezultuar të vlefshme për hetimin. /BW/