28-vjeçari me inicialet A.B. është vënë në pranga një ditë pas ngjarjes që tronditi zonën e ish-Bllokut, ku në një lokal shpërtheu një eksploziv. Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se 28-vjeçari është pikërisht personi që ka shkuar në lokalin “Jujo”, në pronësi të biznesmenit Arben Kaçollari dhe ka vendosur lëndën plasëse.
Në pamjet e publikuara, nga Policia e Shtetit, me anë të pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, shihet se si 28-vjeçari, i maskuar dhe me kapuç, ka bërë gjithë rrugën me biçikletë. Më pas, kur është afruar pranë lokalit në fjall, është futur brenda tendës, dhe ka lënë lëndën plasëse.
I arrestuari, rezulton të jetë person me precedentë të theksuar kriminal, i dënuar më parë me 2 vjet burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe i arrestuar për veprën penale “Vjedhje”. Gjatë operacionit “Eksplozivi” që ai u vu në pranga, Policia thekson se ka sekuestruar edhe biçikletën që ka përdorur autori.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksplozivi”. Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës, 11.06.2020, ku shpërtheu një sasi lënde eksplozive në një lokal në lagjen “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore u bë e mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Vihet në pranga 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, vjedhjes së pronës dhe krimeve ndaj personit. Zbradhja e ngjarjes dhe finalizimi i operacionit nga Komisariati i Policisë Nr 2 dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në DVP Tiranë. Sekuestrohen rrobat dhe biçikleta që autori ka përdorur gjatë kohës së vendosjes së lëndës eksplozive.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 11.06.2020, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ku në derën e lokalit të shtetasit A.B., shpërtheu një sasi lënde plasëse duke shkatur dëme materiale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor të përbërë nga Specialistë për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 dhe Specialistë për hetimin e krimit ndaj pronës dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijoi puna intensive për zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe punës intensive të pandërprerë hetimore të bërë nga Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, u bë e mundur që brenda 24 orëve të zbardhej ngjarja, duke identifikuar autorin e dyshuar të vendosjes së eksplozivit.
Mbi provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, ku gjatë operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar F. A., 28 vjeç, banues në Tiranë me precedent të theksuar kriminal, i dënuar më parë me 2 vjet burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe i arrestuar për veprën penale “Vjedhje”. Nga kontrolli i ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale biçikletën, veshjet, një qese në të cilën ishte vendosur lënda eksplozive, atletet, sende këto të cilat autoi i kishte përdorur në kryerjen e veprës penale. Materialet do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shkatërrm i pronës me eksploziv”.





