Laçi-Bylis është finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin e 61-të. Kurbinasit eliminuan në gjysmëfinale Kukësin (0-0, 2-1), ndërsa mallakastriotët, Skënderbeun (1-1, 1-0). Pas Tiranës, Partizanit, Dinamos, Vllaznisë, Flamurtarit, Teutës, Besës, Elbasanit, Apolonisë, Skënderbeut, Lushnjës, Tomorit dhe Albpetrolit, janë edhe dy skuadra: Bylis dhe Laçi, të cilat arrijnë për herë të parë finalen e Kupës së Shqipërisë. I themeluar më 1960-n për shkak të uzinës së superfosfatit, me emrin “Industriali”, ku luanin ata që edhe punonin në këtë degë të industrisë së rëndë. Një ekip, i cili ka milituar më së shumti në 80 për qind të edicioneve në kategoritë inferiore dhe vetëm në 1997-n u ngjit për herë të parë mes elitareve. Pas kualifikimit në Ligën e Europës në edicionin 2010-2011, edhe për shkak të formulës favorizuese (doli si ekipi i renditur i 4-ti në Superiore), Laçi shkruan një tjetër faqe mbresëlënëse në historikun e vet. Fitorja 2-1 ndaj Kukësit, pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, nxori bardhezinjtë e drejtuar nga Stavri Nica në finalen e 15 majit, nga ku do të dalë edhe triumfuesi i edicionit të 61-të të kompeticionit të Kupës së Shqipërisë. Golin e parë e shënoi Nimani.

Është minuta e 33-të, Vucaj ekzekuton nga e djathta një goditje dënimi, ngrihet me kokë dhe godet bukur Çela, por portieri grushton në trekëndësh. Topi del jashtë dhe ka këndore nga krahu tjetër. Së andejmi topi vjen në gjysmëlartësi në zonën e mbrojtjes kuksiane, ku me shumë zgjuarsi ndërhyn me kokë Nimani. Laçi në avantazh dhe sulmuesi shkodran kopjon Vuçiniçin e Juventusit, teksa feston duke hequr të shkurtrat. Në pjesën e dytë, kuksianët barazojnë me anë të Peqinit, pas një gafe të portierit Bakaj, dhe në fund është mbrojtësi Çela që me të majtën realizon golin kualifikues. Në ndeshjen tjetër, skuadra ballshiote ka fituar 1-0 ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale, pas një supergoli të mesfushorit Julian Gërxho. Barazimi 1-1 në sfidën e parë në Korçë e bënte Bylisin më të avantazhuar, edhe pse përballë kishte kampionët në fuqi të Shqipërisë. Dje, ekipi i Naxhi Shensojit ka arritur një triumf të merituar, duke bërë që i gjithë qyteti i Ballshit dhe zonat përreth tij të jenë në festë. Në historinë 41-vjeçare të klubit ballshiot, ky mund të quhet si një nga sukseset më të mëdha. Mirëpo, gjithçka do të përmbushej nëse arrihet të fitohet edhe në finalen ndaj Laçit, e cila do të luhet më 15 maj. Edhe pse diferencën e bëri goli i shkëlqyer i Gërxhos me goditje standarde, në tërësinë e takimit ballshiotët ishin më kërkues dhe merituan fitoren.

Cungu: Nëse fitonim, bëhej kasaphanë

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, e ka përjetuar keq humbjen e djeshme në Laç dhe eliminimin nga gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Tekniku i kuksianëve ka fajësuar gjykimin dhe presionin psikologjik që kanë përjetuar futbollistët në atë takim. “Gjatë të gjithë kohës kemi qenë nën presion psikologjik. Gjithashtu, gjyqtari ka gabuar në shumë momente, pasi duhej t’i ndëshkonte lojtarët vendës me kartonë të kuq për ndërhyrjet e rënda që bënin. Gjithsesi, më mirë që humbëm, pasi, nëse do fitonim ne, me gjasa këtu (në Laç) do ndodhte kasaphana”, ka theksuar trajneri Cungu në fund të ndeshjes.

Dhuna, shkopinj gome ndaj lojtarëve

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje pas ndeshjes midis Laçit e Kukësit. Pas përfundimit të ndeshjes, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të ardhura nga Shkodra, kanë goditur futbollistët e kurbinasve, Valdano Nimani dhe Daniel Jubani, ndërsa kanë shtyrë edhe kapitenin Erion Vucaj. “Dolëm nga stadiumi dhe u drejtuam nga makina për të hipur në të, që të shkonim drejt Shkodrës. Jubani po fuste çantën në makinë, ndërkohë forcat e rendit na thoshin të largoheshim shpejt. Në atë moment, një prej policëve ka goditur Jubanin, ndërsa tjetri me shkop gome më goditi mua, duke zgjatur dorën brenda në makinë, pasi xhami ishte hapur e më kanë ënjtur buzën. Gjithashtu, ata shtynë edhe Vucajn, duke u sjellë me ne sikur të ishim kriminelë. Gjithsesi, tani që kemi shkuar në shtëpi, jemi më të qetë e po mendojmë për faktin që jemi finaliste të Kupës, duke u futur në historinë e ekipit kurbinas me këtë arritje, e madje për të dytën herë, pasi unë dhe Vucaj kemi qenë pjesë e ekipit edhe në sezonin 2009-2010, kur morëm pjesë për herë të parë në kupat e Europës”.

Shqipëria 0-0 me amatorët italianë

Ekipi ynë përfaqësues U-19 ka barazuar ndaj një seleksioni amatorësh nga Italia në stadiumin “Besa”. Në kampin italian bënin pjesë futbollistë nga ekipe thuajse të panjohura, si Macerateze, San Donato, Portotorres, Vis Pezaro, Carateze, Recione Calcio e tjera. Të besuarit e Strakoshës veçmas në pjesën e dytë kanë ushtruar mjaft presion, madje kanë humbur edhe një 11-mettërsh në min e 76-të, kur Ymeraj çoi topin mbi traversë. Ka qenë kryesisht një lojë e dobët, ku të dyja ekipet gabonin shpesh në pasime. Ekipi ynë përfaqësues, me gjithë dëshirën e madhe, nuk pati qartësi dhe loja kryesisht u zhvillua në mesfushë. Trajneri ynë, Strakosha, u mundua që të aktivizonte të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion.