·         VOA: Nga Elbasani kryeministri iu kundërpërgjigj me tone të forta propozimit të Arvizut për konstituimin e KQZ-s: “Askush nuk ka mandate të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”

TIRANË, 26 maj 2013 – Kompania lobuese “Podesta Group” e financuar nga Tirana zyrtare doli më e fortë se ambasadori amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, sepse, me sa duket, i ka hapur dritën e gjelbër kryeministrit shqiptar të deklarojë pa iu dridhur qerpiku: “Askush nuk ka mandate të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”, lidhur me propozimin për të riparë dhe njëherë përbërjen e KQZ-së.

Një ditë pasi kryeministri njoftoi thirrjen e parlamentit, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu bëri thirrje që në të njëjtën seancë të kalojë edhe konstituimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka mbetur me 4 anëtarë.

Por duke folur me gazetarët në Elbasan, kryeministri Berisha reagoi me tone të forta, ndërsa u kujdes të theksonte se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin të shkëlqyera dhe se askush nuk mund t’i cenonte ato, njofton VOA (Zëri i Amerikës).

Radioja e Uashingtonit citon kryeministrin shqiptar: “Dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjin e vendit tim. Shqipëria ka institucione demokratike, të cilat janë larg së qeni të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to. Unë i dëgjoj me respekt të madh, por kur fillojnë e bëjnë gjykatësin kushtetues, apo kur bëjnë gjykatësin e lartë apo gjykatësin e faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Asnjeri, kushdo qoftë. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandate të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”.

Socialistët nuk pranojnë të zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr duke propozuar si zgjidhje riformatimin e komisionit.

Zoti Berisha hodhi poshtë kategorikisht çdo zgjidhje tjetër përveç zëvendësimit të tyre: “Nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër përveçse atë që përcakton ligji i vendit”, citon VOA.

Por bie në sy se, nëse Zëri i Amerikës njofton se “çështja e zgjedhjeve dhe ajo e KQZ-së pritet të jetë pjesë e bisedimeve edhe e drejtorit për Evropën Qendrore dhe asaj jugore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore, i cili pas një muaji rikthehet në Tiranë nesër [27 maj – “Dyrrah”], Berisha deklaron në Elbasan: “Vjen si dëshmi e vlerësimit dhe interesit për një Shqipëri, që ecën drejt zhvillimit, drejt afrimit me Integrimin Europian.”

Deri tani nuk ka reagim nga Departamenti Amerikan i Shtetit për sulmin e kreut të Tiranës ndaj “mëkëmbësit” të Uashingtonit në Shqipëri.

Info/ Pyetje-përgjigjet (http://km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=18219)

– Pyetje:Në një deklaratë të tij para disa ditësh, ambasadori Amerikan ka thënë se e hëna është një rast i mirë për rikompozimin e KQZ. Nga ana juaj kjo deklaratë është kuptuar si një formatim nga e para e KQZ, apo plotësim i vendeve vakante?

Kryeministri Sali Berisha: Një gjë dua t’ju them. Marrëdhëniet e kësaj qeverie me SHBA janë të shkëlqyera. Kjo është absolutisht jashtë çdo lloj diskutimi. Janë marrëdhënie të bazuara në disa parime, që ndajmë së bashku dhe shumë të garantuara. Këto marrëdhënie kanë një histori. Më brilantet, më emotivet, më të bukurat që në vitet 20 të shtetit shqiptarë. Një nga kënaqësitë e mëdha të jetës sime është mitingu i Xhejms Bejker. Kur erdhi? Ai erdhi në një vend ku propaganda zyrtare 45 vjet kishte derdhur male shpifjesh mbi mendjet e shqiptarëve për atë vend të bekuar. Ato u shkrinë brenda disa muajve dhe e gjithë Shqipëria erdhi në Sheshin “Skënderbej”. E thashë këtë si shembull se ku janë marrëdhëniet me Amerikën dhe cilat janë marrëdhëniet e Sali Berishës me Amerikën. Të tjerat pastaj janë partizanllëqe dhe përralla të pavlera. Ky është qëndrimi. Së dyti, ju e keni parë që gjëja e fundit që unë përmend është eksperienca, e cila më shërben pa diskutim. Pa atë nuk do të isha ky që jam. Eksperienca ime është kjo. Mënyra më e shkëlqyer për të ndërtuar marrëdhëniet e mira me SHBA dhe vendet e lira, është të zbatosh ligjet e vendit tënd. Ato janë të qarta të kristalta. Ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira. Janë ligje demokratike. Kështu që unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjet e vendit tim. Shqipëria ka institucione demokratike, të cilat janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to. Kur fillojmë të bëjmë gjykatësin kushtetues, apo kur bëjnë gjykatësin e lartë apo atë të faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Cilido qoftë. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër. Askush nuk ka mandat të marrë atribute, sepse mënyra sesi funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është një mënyrë e mrekullueshme, është një mënyrë transparente. Ndaj dhe nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër, përveçse atë që përcakton ligji i vendit, atë që thonë institucionet e vendit. Në këtë kontekst unë garantoj çdo qytetar shqiptar se kam mbështetjen e plotë të qeverisë së SHBA, Britanisë së madhe, Gjermanisë, Francës, të të gjitha qeverive të vendeve të lira. Çdo lloj interpretimi, ata të cilët duan t’i referohen eksperiencës, dëshmon se është kështu dhe vetëm kështu dhe jo ndryshe. Duke thënë të gjitha këto, unë kam respekt të palëkundur dhe ka një moment që unë respektin tim e kam shumë real. Pse e kam real respektin? Se ndihma e miqve ka qene jashtëzakonshme e paimagjinueshme. Qytetarët e ndiejnë, por unë e ndiej më shumë.

– Pyetje:Në dijeninë tuaj, cili është qëllimi i vizitës së tij sw z. Jonathan Moore në Tiranë dhe nëse SHBA do të kërkonte një riformatim të KQZ, cili do të ishte qëndrimi juaj?

Kryeministri Sali Berisha: Z. Jonathan Moore është një mik real i shqiptarëve, i mirëseardhur, vjen nesër në mos gaboj dhe do të kem një takim shumë të mirë më te. Z.Moore më vjen mirë që vjen. Pse vjen? Vjen si dëshmi e vlerësimit dhe interesit për një Shqipëri, që ecën drejt zhvillimit, drejt afrimit me Integrimin Europian. Qeveria Amerikane ka bërë gjithçka për statusin dhe integrimin tonë. Ka bërë thirrje për votimin e tre ligjeve disa herë. Thirrja e Hillari Klintonit kur ishte këtu. Nuk ka mbajtur njëri fjalim në këtë tokë më miqësor sesa Hillari Klinton. E turpshme ai zotëria sa nuk tha se pas takimit mori leksione nga unë. Qeveria Amerikane e shprehu të qartë qëndrimin e sekretares Klinton për integrimin.

/th. m. “Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/